Fillimi Lajme“Transformimi i FSK-së duhet të bëhet në koordinim me partnerët strategjik”

“Transformimi i FSK-së duhet të bëhet në koordinim me partnerët strategjik”

nga Shekulli Agency

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fillim të këtij muaji inicioi projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili parasheh ndryshimin e mandatit ekzistues të kësaj force në ushtri të Kosovës. Ky projektligj mori mbështetjen e kryesisë së Kuvendit dhe u përcoll në Qeverinë e Kosovës, e cila pritet që ta kthejë atë në Kuvend për miratim.

Iniciativa e Thaçit erdhi pas mosarritjes për ti bindur deputetët e Listës Serbe, për ndryshime kushtetuese, meqë për këtë ndryshim nevojiten dy të tretat e votave, mirëpo, kjo iniciativë për transformimin e FSK-së nuk mori mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, përkatësisht nga NATO dhe SHBA-të, kurse kryeministri i Kosovës Isa Mustafa theksoi se ky ndryshim mund të bëhet vetëm me mbështetjen e partnerëve strategjik.

Ramadani: Transformimi duhet të bëhet në mbështetje të partnerëve strategjik

Burim Ramadani, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se iniciativa e Presidentit Thaçi si e tillë, është në kuadër të kompetencave të Presidentit, respektivisht të formës Kushtetuese të Kosovës, por që kjo kërkon bashkërendim dhe koordinim me partnerët ushtarak dhe strategjik, në veçanti të SHBA-ve dhe të NATO-s, sepse meqë Kosova synon të anëtarësohet në NATO, dhe kapacitetet ushtarake të saj duhet ta marrin mbështetjen nga NATO.

“Sa i përket mundësisë së procedimit të mëtutjeshëm të projektligjit, besoj që kjo çështje varet plotësisht nga disponimi apo mbështetja e mundshme e partnerëve strategjik ndërkombëtar. Nëse kjo mbështetje nuk arrihet shpejt, atëherë projektligji nuk do të procedohet shpejt”, tha Ramadani.

Ai theksoi se mbështetja e partnerëve strategjik ka një rëndësi të veçantë, duke vënë në dukje se edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në koordinim me partnerët ndërkombëtar, sepse edhe NATO, në bazë të rezolutës 1244, udhëhoqi misionin paqeruajtës në Kosovë (KFOR-in) dhe ndihmoi në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në mandatin aktual të saj.

“Por, unë besoj që ky është një lloj presioni jashtëzakonisht direkt i institucioneve të Kosovës, në raport me kërkesën që parterët ndërkombëtarë t’i ndihmojnë Kosovës që t’i bindin deputetët serbë të Kosovës që ta votojnë ndryshimin e Kushtetutës. Fatkeqësisht çfarë ka ndodhur pas iniciativës së Presidentit Thaçi që ndryshimi të kalojë përmes ndryshimit të ligjit, ka patur moskoordinim në mes të institucioneve të Kosovës”, tha Ramadani.

Ramadani po ashtu theksoi nevojën që transformimi i FSK-së në mision ushtarak të kthehet në një platformë nacionale e përbashkët e të gjitha institucioneve, shtetërore relevante, diplomatëve të Kosovës nëpër botë, shoqërive civile dhe të ekspertëve, në mënyrë që të argumentohet para SHBA-ve dhe para NATO-s se vota për ndryshim kushtetues nga ana e deputetëve serbë të Kosovës varet direkt nga Beogradi dhe shtoi se “A e bëjnë këtë përmes Beogradit, a përmes Brukselit apo me format direkte bilaterale apo multilaterale është çështje e tyre”.

“Personalisht besoj që sa më shpejt që e kupton Serbia që themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk ka të bëjë fare me Serbinë, aq më mirë dhe aq më lehtë do ta pranonte një proces të tillë”, tha Ramadani.

Smakaj: Transformimi i FSK-së duhet të bëhet me ndryshime Kushtetuese

Nga ana tjetër, Riza Smakaj, profesor i së Drejtës Kushtetuese vlerëson se transformimi i FSK-së në ushtri duhet të bëhet me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Sipas Kushtetutës do të duhej që të bëhet amandamentimi për të modifikuar dhe për të krijuar një bazë kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Përndryshe, në pikën 5 të nenit 126 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se organizimi i brendshëm i FSK-së rregullohet me ligj. Në rast se bëhet fjalë për organizimin e brendshëm, atëherë kjo është çështje ligjore, por nëse bëhet fjalë për transformim thelbësor atëherë ekspertët e shohin si të diskutueshme fjalën ‘mbrojtje’, sepse kjo e ndryshon rolin e FSK-së”, tha Smakaj.

Sipas mendimit të profesorit Smakaj, në vend se transformimi të bëhet me ndryshimin e ligjit, do të ishte më mirë sikur të arrihej marrëveshja politike me “Listën Serbe”.

“Kjo ushtri nuk do të jetë ushtri shqiptare, e as serbe, por e të gjithë neve, të gjithë qytetarëve, dhe një Kosovë stabile është në interes edhe të Serbisë dhe anasjelltas. Kosova jostabile nuk është as në interes të Serbisë e as të cilitdo shteti tjetër fqinj”, tha Smakaj.

Qytetarët e Kosovës nuk do të jenë të obliguar ta kryejnë shërbimin ushtarak

Me këtë projektligj, në të cilin AA ka patur qasje, FSK mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës se Kosovës, si dhe kontribuon në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global.

Sipas këtij projektligji FSK është e armatosur, multietnike dhe profesionale. Kjo, sipas Burim Ramadanit, nënkupton që qytetarët e Kosovës nuk do të jenë të obliguar ta kryejnë shërbimin ushtarak. Ai shtoi se ky projektligj ka disa elemente jashtëzakonisht të mira, sikurse neni 16, i cili e përcakton në mënyrë demokratike kontrollin civil demokratik mbi forcat e armatosura të Kosovës.

Po ashtu, Ramadani bëri të ditur se FSK pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Kosovës, e cila sipas tij, është edhe obligim kushtetues. Kjo, sipas tij, do të thotë që FSK duhet të përbëhet nga 10 për qind të pjesëtarëve të komunitetit serb dhe 5 për qind të komuniteteve tjera, ku aktualisht 7.2 për qind të pjesëtarëve aktualë të FSK-së janë nga komunitetet joshumicë kurse rreth 2 për qind janë serbë të Kosovës.

FSK-ja për momentin ka 2 mijë e 500 ushtarë aktivë dhe 800 ushtarë rezervë, kurse sipas projektligjit parashihet që ky numër të jetë 5 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë ushtarë rezervë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies