
Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë larguar nga një zonë e banuar në Qarkun e Lezhës 74 predha, ku sipas vlerësimeve paraprake i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
“Forcat e Armatosura parandaluan një tragjedi në Manati të Lezhës. Xhenierët tanë larguan nga zona e banuar 74 predha të kalibrit 150 mm, secila me peshë rreth 50 kg, sipas vlerësimeve paraprake, të Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar në rrjetet sociale ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Ndërkohë, predhat janë zhvendos për t’u asgjësuar në një poligon të posaçëm.
“Që prej fillimit të vitit, xhenierët e Forcave të Armatosura kanë kryer 75 operacione në të gjithë vendin, duke asgjësuar rreth 16 tonë municione të rrezikshme”, ka theksuar ministrja Xhaçka.
-Gjatë viteve të fundit në Shqipëri janë gjetur dhe asgjësuar dhjetëra predha të periudhës së Luftës së Dytë Botërore.