Prokuroria Speciale Publike (PSP) sot prezantoi tre hetime të reja me emrin “Talir”, “Trajektorja” dhe “Trevnik”, transmeton (AA).
Prokurorja speciale publike Katica Janeva sot në konferencën për media bëri të ditur se bëhet fjalë për hetime financiare dhe se dy kanë të bëjnë për paligjshmëri në procedurën e ndërtimit.
Janeva kërkoi nga shumica e re parlamentare që të hiqet neni 22 i Ligjit për Prokurori speciale publike me çka do të vazhdohej puna e kësaj prokurorie.
Në hetimin me emrin “Trevnik” ka dyshime themelore për tre persona për ndërtimin e tre vikend shtëpive në lagjen Zelenikovë, të cilat sipas PSP-së, janë ndërtuar pa leje për ndërtim, për çka sipas prokurores Fatime Fetai ka dëshmi, incizime satelitore dhe dokumentacion.
Hetimi i dytë “Trajektorja” zhvillohet kundër 4 persona, ish-funksionarë të lartë qeveritarë të cilët në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe 2013 kanë ndërmarrë më shumë veprime lidhur me zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradës Milladinovc- Shtip dhe Tetovë – Ohër, me çka i shkaktuan dëm buxhetit prej 155 milionë e 117 mijë e 172 euro dhe për shumën e njëjtë i mundësuan kompanisë realizuese që të fitojë dobi pronësore.
Hetimi i tretë “Talir” ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Në këtë hetim, sipas PSP-së, ka dyshim themelor se i dyshuari i parë, kryetari i partisë politike, ndonëse ka qenë i njohur për kufizimet ligjore, në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2015 ka mundësuar që në emër të partisë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për financim të partive politike që të fitojë dobi të natyrës personale për forcimin e fuqisë politike edhe në parti edhe në shtet për të vendosur kontroll të plotë mbi partinë politike.
Gjithsej 11 persona dyshohen për larje parash, prej të cilëve 9 janë ekzekutues të drejtpërdrejt dhe 2 ndihmës.
Gjatë konferencës së sotme për media të PSP-së u bë fjalë edhe për rastin “Sopoti”. PSP-ja ka arritur në konstatim se dëshmia e dëshmitarit Ramadan Bajrami, është marrë me dhunë.
PSP-ja nuk mund të hap lëndë për rastin “Sopoti”, pasi kështu ka vendosur Këshilli i Prokurorëve, mirëpo kjo nuk ka dekurajuar PSP-në që të merret me këtë rast. Prokuroria Speciale Publike më herët ka ngritur hetime për rastet “Tortura”, “Titanik”, “Transporter”, “TNT”, “Fortesa”, “Thesari”, “Toplik”, “Tenderë”, “Tanku” dhe “Tarifa”.