
Provat e mbledhura gjatë operacionit antiterrorist të Turqisë “Burimi i Paqes” hedhin poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se YPG nuk është e lidhur me organizatën terroriste PKK.
Pamje të filmuara nga Anadolu Agency (AA) zbulojnë se ka shumë postera të Abdullah Ocalan, kreut të burgosur të PKK-së, në qendrat e trajnimit të terroristëve në Ras al-Ayn të Sirisë.
Qendrat funksionojnë nën petkun e shkollave, zyrave dhe hoteleve.
Në pamjet e filmuara shfaqen edhe libra të Ocalanit të ruajtura në një bibliotekë.
Gjithashtu, mund të shihen edhe dokumente financiare, fotografi të terroristëve të vrarë dhe lecka që simbolizojnë YPG/PKK-në.

Këto imazhe ofrojnë prova të mjaftueshme që YPG dhe PKK janë e njëjta organizatë.
Fotografi të shkrepura nga AA nga 20 tetori tregojnë se si terroristët kanë varur një fotografi të Ocalanit pranë një spitali që ata e kanë shkatërruar në veri të Sirisë.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Më 17 tetor, Turqia dhe SHBA arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin antiterrorist në mënyrë që të mundësohet tërheqja e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurt.

Ndërkaq, të martën, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin zhvilluan një takim në qytetin bregdetar rus Soçi vetëm disa orë para përfundimit të pauzimit të operacionit turk, ku Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës, brenda 150 orëve terroristët e YPG/PKK-së do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë.
Marrëveshja po ashtu parashikon patrullime të përbashkëta të forcave të sigurisë nga Turqia dhe Rusia në rajon.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.