Fillimi LajmeProkuroria Themelore në Prizren pranon ekspertizën nga Zvicra për Astrit Deharin

Prokuroria Themelore në Prizren pranon ekspertizën nga Zvicra për Astrit Deharin

nga Shekulli Agency

Prokuroria Themelore në Prizren, njoftoi se ka pranuar të përkthyer në gjuhen shqipe raportin prej 58 faqesh të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit.

Sipas një njoftimi për media nga Prokuroria, raporti i njëjtë në gjuhën frënge dhe në gjuhën shqipe i është dorëzuar të enjten familjes Dehari dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, avokatit Tomë Gashi.

Siç e citon kjo Prokurori ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore e cila gjendet në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit, ka “dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes”.

“Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, shkruan aty.

Gjithashtu Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës, siç njofton Prokuroria, bën të ditur se “analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmban pak ose shumë pak ADN”.

Ndërsa pika e tretë e kësaj ekspertize vlerëson se “një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes. Ndërsa për këtë, më poshtë thuhet se “ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”.

Prokuroria thekson se bazuar në të gjeturat e raportit në fjalë, do të vazhdohet hetimi i këtij rasti dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë ekspertët në Lozanë dhe ata nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

“Për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes”, thotë Prokuroria.

Në fund të komunikatës thuhet se “Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvilloj hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në një qeli të burgut në Prizren më 5 nëntor 2016 dhe pas një autopsie dhe një hetimi, Kryeprokurori i Përgjithshëm i Prizrenit Syle Hoxha atëherë raportoi rastin si vetëvrasje.

Dehari u arrestua me dyshimin se ai së bashku me disa anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje hodhën një bombë në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2016 për të parandaluar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Në maj të vitit 2018, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Kosovës dërgoi çështjen e Astrit Dehari në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë pas shumë presionesh nga familja Dehari, Lëvizja Vetëvendosje dhe publiku kosovar, i cili këmbënguli për një hetim të pavarur.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies