Policia e Kosovës (PK) ka refuzuar hyrjen e një veture dhe të një autobusi nga Serbia për në Republikën e Kosovës.
Në një njoftim nga PK bëhet e ditur se paraditen e sotme autobusit me targa “BG”, si dhe veturës po ashtu me targa “BG” ku udhëtonte një zyrtar dhe tre persona të tjerë, u është refuzuar hyrja në pikë kalimin kufitar Jarinje.
Policia njofton se arsyeja e këtij refuzimi është mos posedimi i lejes për hyrje nga institucionet përkatëse.
“Personit zyrtar dhe shoqërueseve të tij me veturën Audi me targa “BG”, iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, pasi që të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Punëve të Jashtme e RKS-së. Po ashtu autobusi i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të RKS-së, në të cilin kanë qenë klubi i basketbollit “Partizani i Beogradit”, i është refuzuar hyrja pasi të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (Federata e basketbollit të RKS-së)”, njoftoi PK.
Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë, PK njofton se të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë.