Parlamenti i Izraelit (Knesset) do të votojë për propozimin e vendosjes së dënimit me vdekje për palestinezët e involvuar në operacione të drejtuara kundër Izraelit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman për televizionin izraelit tha se Knesseti të mërkurën, duhet të votojë për propozimin që ka për qëllim avancimin e kornizës ligjore të luftës kundër palestinezëve që sulmojnë ushtarë dhe civilë izraelitë.
“Edhe SHBA-të kanë dispozita të ngjashme dhe është e përshtatshme për Izraelin të ndjekë një sistem kaq të fuqishëm demokratik”, tha Liberman.
Duke theksuar se palestinezët e dënuar shpesh përdoren për të shkëmbyer të burgosurit, Lieberman tha se “organizatat terroriste që rrëmbejnë ushtarët dhe civilët izraelitë po përdorin terroristët e dënuar”.
Propozim-ligji për vendosjen e dënimit me vdekje në Izrael duhet të kalojë tre raunde të votimit në Knesset.
Izraeli momentalisht nuk ka dënim me vdekje, por kodi penal mundëson shqiptimin e disa qindra viteve dënim me burg për shkaktimin e veprave të rënda penale.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu më herët këtë vit deklaroi se është koha që Izraeli të vendos dënim me vdekje për palestinezët që sulmojnë këtë vend.