Drejtori i Policisie per Krimet e Renda, Ardian Cipa ka dhënë detaje rreth këtij operacioni, ku sipas tij linja e trafikut, ishte planifikuar të kryhej përmes përdorimit të një avioni të vogël.
Policia e Shtetit Shqiptar në bashkëpunim me Policinë Italiane dhe Prokurorinë për Krime të Rënda në Shqipëri kanë finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, operacionin ndërkombëtar kundër trafikimit të lëndëve narkotike të koduar “Fluturimi i lirë”, ku janë arrestuar 14 persona, shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një punonjës policie.
Drejtori i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Renda në Policinë e Shtetit Shqiptar, Ardian Çipa në një konferencë për shtyp, së bashku me përfaqësuesn e shtetit italian, ka dhënë detaje rreth këtij operacioni, ku sipas tij linja e trafikut, ishte planifikuar të kryhej përmes përdorimit të një avioni të vogël.
Personat e ndaluar në Shqipëri janë: Neko Bruhamaj, 45 vjeç; Fatos Bruhamaj, 30 vjeç; Fadil Shahaj; 53 vjeç, Igli Shahaj, 22 vjeç; Sokol Lamaj (Burhamaj), 34 vjeç, si edhe efektivi i Policisë së Vlorës Vladimir Zanaj, Shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore.
Në Itali janë arrestuar 8 persona, rezidentë në shtetin fqinj: Elizer Ahmetaj, 27 vjeç; Xhesian Ahmetaj, 21 vjeç; Arshi Ahmetaj, 29 vjeç; Artjon Lamaj, 29 vjeç; Kleo Lamaj, 30 vjeç; Bukurosh Këshilli, 25 vjeç; Virjon Imeraj, 32 vjeç si dhe Vilson Lamaj, pilot i avionit.
“Gjatë këtij hetimi pro-aktiv, duke aplikuar metoda speciale, për më shumë se 1 muaj, janë identifikuar dhe mbajtur nën kontroll personat e dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe u shkëmbye informacion me autoritetet italiane. Policia shqiptare identifikoi menjëherë personat e përfshirë në rrjet dhe i mbajti ata nën vëzhgim. Në koordinim me homologët italianë, nëpërmjet shërbimit Interforce, u godit i gjithë grupi, pas dokumentimit të linjës së trafikimit”- deklaroi Çipa në konferencën për mediat.
Sipas policisë mëngjesin e datës 24 gusht 2015, avioni i vogël i drejtuar nga shtetasi Vilson Lamaj është nisur nga Italia me destinacion Shqipërinë, duke u ulur në orën 07:02 minuta, në një zonë pa shumë lëvizje në afërsi të fshatit Xhelilaj, pranë Sevasterit në Vlorë, ku edhe ka ngarkuar një sasi prej 120 kilogramë marijuanë. Policia sqaron se në momentin e uljes së avionit në Brindizi, policia italiane ka arrestuar shtetasin shqiptar Vilson Lamaj dhe bllokoi lëndën narkotike.
