Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dënon fuqishëm çdo sulm kundër civilëve duke shprehur shqetësim të thellë për konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit si dhe për efektet e tij mbi popullatën civile.
Farhan Haq, një nga zëdhënësit e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në një deklaratë për AA lidhur me sulmin raketor që Armenia kreu ndaj qytetit Ganja tha se Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres ka shqetësime të thella nga konflikti.
Guterres zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Armenisë, Zohrab Mnatsakanyan dhe ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Ceyhun Bayramov. Ai u ka dhënë mesazhe të qarta të dyja palëve për zbatimin e armëpushimit të plotë, tha Haq i cili shtoi se OKB-ja është e gatshme për ndihma humanitare dhe të punojë me palët nëse kërkohet.
“Barrën e konfliktit që vazhdon prej 3 javësh e mban popullata civile”, tha Haq duke shtuar se “Dënojmë në mënyrë të fuqishme çdo sulm dhe objektiv kundrejt rajoneve ku jetojnë civilët”.
Haq rikujtoi se palët në kuadër të ligjit ndërkombëtar kanë përgjegjësi për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturën civile. Ai u bëri thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit për uljen e tensioneve, distancimin nga çdo veprim që tërheq në rritjen e përleshjeve dhe destabilizimin e rajonit si dhe rikthimin sa më shpejtë në bisedime nën vëzhgimin e bashkëkryesuesve të Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Prokuroria e Azerbajxhanit njoftoi se 12 civilë humbën jetën dhe mbi 40 të tjerë u plagosën në sulmin me raketa që Armenia kreu ndaj qytetit Ganja të Azerbajxhanit.
