Fillimi LajmeNë Hagë fillon gjyqi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Në Hagë fillon gjyqi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

nga Shekulli Agency

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë filloi procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Pasi Prokurori i Specializuar ka lexuar aktakuzën ndaj tyre, kryetari i trupit gjykues, Judge Charles L. Smith i ka pyetur ata nëse e mbrojnë deklaratën e parë për mohimin e fajësisë, ndërsa Haradinaj dhe Gucati u deklaruan se janë të pafajshëm për akuzat e ngritura mbi ta.

Duke shpalosur aktakuzën, prokurori ka thënë se në muajin prill dhe shtator të vitit 2020, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë bërë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke i quajtur ata gënjeshtarë, bashkëpunëtorë e tradhtarë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar përdori si dëshmi disa intervista dhe konferenca për media në të cilat, sipas tyre, Gucati dhe Haradinaj deklaruan se do të punojnë kundër Gjykatës Speciale dhe dëshmitarëve të saj të ardhshëm.

Po ashtu, prokurori i specializuar deklaroi se më 6 shtator 2020, një person i paidentifikuar shkon në zyrën OVL-UÇK-së në Prishtinë me disa kuti të cilat i lë në korridor dhe largohet ndërsa Nasim Haradinaj organizoi konferencë për media duke hapur materialin e marrë nga personi i paidentifikuar, ku ishin emrat e dëshmitarëve të Dhomave të Specializuara.

Sipas prokurorit, këto dhe veprime të tjera të Gucatit dhe Haradinajt, sipas Zyrës së Prokurorit, kishin qëllim ndalimin dhe dëmtimin e punës së Zyrës së Prokurorit.

Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj u konfirmua më 14 dhjetor 2020.

Akuza mbështetet në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies