Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ndaj trazirave që ndodhën sot në Kuvendin e Maqedonisë.
Nga partia, siç theksohet në një kumtesë, thonë se do të përgjigjen për rrezikimin e jetës të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhunën e sotme në Parlament “si dhe për të gjitha krimet e porositura dhe të zbatuara nga kryesia e VMRO-DPMNE-së”.
“Dhuna e përgjakshme në Parlament është rezultat i dhunës në të cilën periudhën e fundit thërriste Nikolla Gruevski, si dhe provokimet, urrejtjen, ndarjet e nxituara nga Gruevski, Gjorge Ivanov, Trajko Veljanovski, grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve të tyre”, theksojnë nga LSDM-ja.
Në njoftimin qëndron se “seriozisht janë lënduar deputetë, përfaqësues të qytetarëve që është maja e sjelljes jocivilizuese të këtyre njerëzve të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka, që të tentojnë të evitojnë përgjegjësinë”.
Ndryshe, tensionet u përshkallëzuan kur në seacën plenare të ndërprerë pak më parë nga kryesuesi Trajko Veljanovski, shumica parlamentare e kryesuar ng LSDM-ja zgjodhi Talat Xhaferin me 62 deputetë për kryetar të Parlamentit të Maqedonisë. Më pas protestuesit hynë brenda dhe pushtuan Kuvendin, me ç’rast sulmuan deputetë dhe gazetarë, ku ka të lënduar.