Fillimi LajmeLigji për Demarkacionin nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës

Ligji për Demarkacionin nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës

nga Shekulli Agency

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe procedura për miratimin e tij nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese njofton se ka shqyrtuar kërkesën e shefit të grupit parlamentar të partisë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe të 11 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës, të cilët pretendojnë se procedura e ndjekur për miratim si dhe përmbajtja e Ligjit për Ratifikimin e Demarkacionit, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Duke bërë të ditur se gjykata njëzëri ka refuzuar kërkesën e parashtruesve, në vendimin e publikuar në uebfaqen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se, “Gjykata konstatoi njëzëri se Ligji nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes dhe procedura për miratimin e tij nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën”.

Kujtojmë se shefi i grupit parlamentar të partisë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca më 29 mars në emër të partisë së tij ia kishte dorëzuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për “Vlerësimin e kushtetutshmërisë së Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Ratifikimin për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të 21 marsit me 80 vota “pro” ka ratifikuar Projektligjin për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kjo marrëveshje u ratifikua pas katër tentimeve të pasuksesshme nga gazi lotsjellës, që u hodh nga deputetët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje. LVV pretendon se Kosova me këtë marrëveshje humb më shumë se 8 mijë hektarë tokë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies