Zëvendëskryeministri i Turqisë dhe zëdhënësi i Ankarasë zyrtare, Numan Kurtulmus, mori pjesë pak ditë më parë në rubrikën “Tryeza e Redaktorëve” të Agjencisë Anadolli (AA), ku bëri një vlerësim të hollësishëm në lidhje me qëndrimin e vendeve evropiane kundrejt politikanëve turq.
“Ata, të cilët s’lejuan atje fjalimet e qeveritarëve dhe deputetëve turq të zgjedhur ligjërisht, përkrahën nën kontrollin e policisë shumë haptazi mitingjet e organizatës separatiste terroriste PKK dhe fushatën e saj në favor të votës ‘Jo’. Kjo është diçka e pakuptueshme”, tha ai.
Miqtë tanë evropian – theksoi Numan Kurtulmus – duhet të ngulisin mirë në mendje këtë gjë: Nuk ka organizata terroriste të mira dhe të këqija!
“Në qoftë se organizata terroriste PKK përkëdhelet, llastohet dhe ushqehet kaq shumë, një ditë ajo do të dëmtojë edhe vetë politikanët evropianë. A nuk i ka dëmtuar më parë? Po, i ka dëmtuar. Të mos harrojnë vrasjen e politikanit Olof Palme. Palme, njëri nga politikanët më demokratë dhe më të moderuar të Evropës, u vra nga PKK-ja (Suedi, 1986). Prandaj, bëhet fjalë për një organizatë terroriste, e cila mund të ndërmarrë atentate ndaj politikanëve evropianë në zemër të Evropës”, shtoi zëdhënësi i qeverisë turke.
“Po dëgjojmë hapat e neonazizmit, racizmit ekstrem, neofashizmit në Evropë; po vijnë. Në një të kaluar të afërt, Evropa ka vuajtur shumë edhe nga fashizmi i Hitlerit, edhe nga i Musolinit. E kaluara e afërt e Evropës, periudha mes dy luftërave botërore, është një histori e përgjakshme. Arsyeja themelore e kësaj historie të përgjakur është racizmi ekstrem”, u shpreh Kurtulmus.
Duke nënvizuar se evropianët kanë filluar të lakojnë një ndalim të mundshëm të votimit të turqve, që jetojnë në Evropë, për referendumin popullor të 16 prillit; zv/kryeministri turk tha se asnjë fuqi nuk do të jetë në gjendje që ta ndalojë këtë.
Kurtulmus u ndal gjithashtu mbi pretendimet se në sistemin e ri qeverisës nuk do të ketë një mekanizëm kontrolli mbi presidentin.
“Përkundrazi; është e vërtetë që i jepen kompetenca, por presidenti ka edhe më shumë përgjegjësi. Presidenti nuk zotëron kurrsesi ndonjë kompetencë përmbi Kuvendin e Madhor Popullor të Turqisë (TBMM) për të nxjerrë ligje”, siguroi ai.
Zëdhënësi i Ankarasë zyrtare vuri në pah se “urdhrat ekzekutive të presidentit nuk do të jenë kurrë në kundërvajtje ligjore” dhe vijoi me këto fjalë: “Pra, ka një hierarki ligjore, ka një hierarki kushtetuese dhe ai i nënshtrohet kësaj hierarkie. Është njësoj si vendimi i Këshillit të Ministrave, që del nga mbledhjet e qeverisë. Duke qenë se në sistemin e ri nuk ka kryeministër, këto do t’i nxjerrë presidenti, që do të jetë kreu i qeverisë në vend të kryeministrit. Asnjë prej tyre (urdhrave ekzekutive) s’do mund të jetë në kundërvajtje ligjore.”
“Në Turqi, këtej e tutje do të jetë president dhe do të formojë sistemin qeverisës ai që fiton 50% +1 të votave. Rrjedhimisht, shohim se duhet të ndërtojë marrëdhënie më të mira me publikun duke nxjerrë në pah figura politike, që mund të plotësojnë kërkesat dhe të priturat e popullit, si dhe që mund të zgjidhen nga populli. Kjo, realisht, i jep opozitës një shans më të madh”, saktësoi Numan Kurtulmus.
Çështja e dhënies së shtetësisë për 3 milionë sirianët, komplet gënjeshtër
Mes të tjerash, zv/kryeministri turk tërhoqi vëmendjen se çështja e dhënies së nënshtetësisë për 3 milionë sirianët (që janë strehuar si refugjatë në Turqi) është komplet gënjeshtër, e cila po shfrytëzohet si një mjet i fushatës (kundër ndryshimeve kushtetuese) për të shqetësuar qytetarët.
“As që bëhet fjalë për t’u dhënë nënshtetësi sirianëve. Çështja se ‘do t’i jepet nënshtetësia 3 milionë njerëzve’ po shfrytëzohet plotësisht si mjet fushate elektorale. Këta janë miqtë tanë, vëllezërit tanë dhe ne po përpiqemi gjithashtu për të formuar terrenin e përshtatshëm, ku ata të jetojnë shëndoshë e mirë, të qetë dhe në paqe në vendin e tyre”, deklaroi ai.
“Ne pranuam mbi 3 milionë refugjatë dhe qytetarët tanë ndanë me ta kafshatën e gojës. Teksa mbërritja e kaq shumë refugjatëve në vende të tjera shkaktoi probleme sociale të mëdha, falë Zotit, Turqia e priti këtë si komb me frymën e një bamirësi (ensar). Nuk i përjashtojmë disa probleme, megjithatë çështja e sirianëve në përgjithësi nuk u transformua në një problem social për Turqinë. Prandaj askush të mos tallet tani me largpamësinë dhe dashamirësinë e këtij populli”, nënvizoi Kurtulmus.
Kjo është një përkrahje e qartë për këtë grup banditësh të quajtur FETO
Zv/kryeministri i Turqisë reagoi po ashtu kundër shteteve evropiane, të cilat u dalin për zot puçistëve.
“Është e pamundur që ta pranojmë këtë gjë, ky është gabim. Me thënë të vërtetën, kjo është një përkrahje dhe mbrojtje e qartë për këtë grup banditësh të quajtur FETO. Duam të themi se këtë nuk e pranojmë. Ekstradimi i menjëhershëm në Turqi i banditëve të FETO-s, që janë strehuar deri më sot dhe ndoshta do të strehohen gjatë periudhës në vijim në Evropë, është një domosdoshmëri e marrëdhënieve tona miqësore ndërmjet Turqisë dhe këtyre shteteve”, u shpreh ai.
“Presim të veproni ashtu si do të donit të veprohej në rast se një tentativë për grusht shteti do të ndërmerrej në ndonjë vend evropian dhe puçistët e atjeshëm do të strehoheshin në Turqi”, përfundoi zv/kryeministri Numan Kurtulmus.
/trtshqip/