
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, gjë të cilën e ka bërë të ditur vet ai në një konferencë për media pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës.
Dorëheqjen, tha Haradinaj, po e jep për shkak se është i ftuar nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale në Hagë, si i dyshuar.
“Sapo e informova qeverinë dhe pastaj do t’i informojë edhe institucionet tjera, partnerët politikë. Kam dhënë dorëheqje të parevokueshme prej funksionit të kryetarit të qeverisë. Pra, nga ky moment jemi në dorëheqje si qeveri. Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës së Specializuar. Javën tjetër do të kem paraqitje dhe kam vlerësuar se nuk mund të paraqitem si kryetar i qeverisë atje, por si një qytetar. Si kryetar i qeverisë në dorëheqje, për ta ruajtur nderin, edhe të qeverisë edhe të shtetit, kam menduar se është e drejtë ta marrë këtë vendim”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se me këtë dorëheqje qeveria e tij “i kryen detyrat e veta deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të reja”.
“Tani përgjegjësia kalon tek presidenti, që ai t’i bëjë konsultat dhe të caktojë datën e zgjedhjeve me parti politike në afate kohore kushtetuese”, theksoi Haradinaj.
Ai tha se do të garojë prapë në zgjedhjet e ardhshme me arsyetimin se nuk po akuzohet, por se është vetëm i dyshuar në këtë ftesë të Gjykatës Speciale.
“Nuk është vendim i lehtë, jo vëm për mua, por për të gjithë në qeveri”, tha Haradinaj.
Haradinaj dy herë është gjykuar në Gjykatën e Hagës dhe në të dyja rastet është liruar.