Fillimi LajmeKryeministri i Kosovës, Mustafa insiston në miratimin e Gjykatës Speciale

Kryeministri i Kosovës, Mustafa insiston në miratimin e Gjykatës Speciale

nga Shekulli Agency

isa-mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka insistuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës mos të shkojnë në pushim veror pa u kryer çështja e Gjykatës Speciale, miratimi i amendamenteve për ndryshimet kushtetuese që do të hapnin rrugë për miratimin e Projektligjit për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Ashtu si edhe është vendimi nga ana e Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk do t’i marrin pushimet verore deri sa të procedohet në Kuvendin e Kosovës projektligji për Gjykatën Speciale. Për datë nuk mund të ju them sepse ende nuk dihet” deklaroi kryeministri Mustafa, gjatë konferencës së sotme për shtyp ku foli edhe për disa çështje aktuale përveç kësaj të Speciales, siç janë: anulimi i djeshëm i fillimit të zbatimit të lëvizjes së lirë të veturave Kosovë-Serbi, nga ana e Serbisë, si dhe angazhimi i Qeverisë në realizimin e programit për zhvillim ekonomik të vendit.

Lidhur me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për njohjen e policave të sigurimit për vetura të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e arritur gjatë dialogut në Bruksel, kryeministri Mustafa tha se nuk ka pezullim të marrëveshjes por ka moszbatim dhe mosrespektim të marrëveshjes së arritur, nga ana e Serbisë.

“Do të thotë, nuk kemi anulim apo pezullim por bëhet fjalë se, Serbia ka informuar se nuk është në gjendje që nga dita e sotme të filloj zbatimin e marrëveshjes pasi që i duhet të punojë edhe pak në përmbushjen e disa obligimeve nga marrëveshja. Nuk është precizuar cila do të jetë data e ardhshme e fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje mirëpo, ne do të insistojmë në këtë sepse më bisedime për këtë çështje nuk do të ketë. Bisedimet kanë përfunduar dhe marrëveshja është nënshkruar” tha Mustafa.

Ai ka theksuar se Kosova do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që të reagojë dhe të kërkojë implementim sa më të shpejtë të kësaj marrëveshjeje sepse shtyrja e saj nuk ka kurrfarë kuptimi.

Dje, vetëm disa orë para fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, dhjetëra serb nga veriu i Kosovës kanë protestuar në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, pas paralajmërimit se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të filloi edhe sekuestrimi i makinave të serbëve me targa të regjistrimit që kanë shenjat e qyteteve të Kosovës (PR,KM, PZ, PE, etj).

Megjithatë, marrëveshja për lirinë e lëvizjes së veturave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte nënshkruar muajin e kaluar në Bruksel, sipas fjalëve të Edita Thirit, ministres për Dialog në Qeverinë e Kosovës, kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me targat e regjistrimit.

Në njoftimin e saj publik, Tahiri shpjegoi se marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të policave të sigurimit për vetura e arritur në Bruksel, me ndërmjetësimin dhe garancinë e Bashkimit Evropian dhe Këshillit Evropian të Byrove të Sigurimit, ka për qëllim zvogëlimin e shpenzimeve të kalimit të kufirit për veturat e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë ku, varësisht nga kategoria e veturës, kostoja e sigurimit vjetor do të jetë rreth 40 euro për veturat e vogla dhe qytetarët e Kosovës, më nuk do të duhet të paguajnë tabelat e përkohshme për hyrje në Serbi.

Për veturat me tabela nga Serbia të cilat hynë në Kosovë, do të mjaftoi polica e sigurimit e cila vlen për Serbi.

Deri tani, qytetarët e Kosovës për hyrje në Serbi kanë qenë të detyruar të paguajnë rreth 100 euro për policën e sigurimit të veturave, në kohëzgjatje njëmujore, ndërsa anasjelltas, veturat nga Serbia kanë paguar rreth 40 euro për dy javë. Duhet theksuar edhe faktin se Qytetarët e Kosovës ende nuk janë të pajisur me Kartonin e Gjelbër, policën ndërkombëtare të sigurimit për veturat e tyre, për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër.

Sa i përket realizimit të programit për zhvillim ekonomikë të Kosovës, gjatë këtij viti, kryeministri Mustafa tha se Qeveria i ka dhënë prioritet politikave fiskale dhe faljes së borxheve.  “Ulja e TVSH-së do të ndikojë në uljen e çmimit të produkteve. Kemi bërë rishikimin e buxhetit 1.536 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar kemi më shumë të hyra prej 14% ” tha kreu i Qeverisë së Kosovës.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies