
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se të hënën nuk ka dalë në vendin e tij të punës, për shkak të kontakteve që ka pasur me një zyrtar ministror e i cili ka pasur kontakt të ngusht me një person të diagnostikuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19).
Kurti në rrjetet sociale ka thënë se bëhet fjalë për kontakt të tij me një zyrtar nga Ministria e Integrimit Evropian (MIE), të cilit i janë marrë mostrat nga autoritetet shëndetësore dhe priten t’i dalin rezultatet për COVID-19.
“Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, shkroi Kurti.
Ai shtoi në fund se edhe pas izolimit të tij “do t’i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë”.
Në Kosovë deri më tani janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus 884 persona, ndër të cilët 655 janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.