Fillimi LajmeKalimi i refugjatëve në kufirin jugor të Maqedonisë realizohet pa pengesa

Kalimi i refugjatëve në kufirin jugor të Maqedonisë realizohet pa pengesa

nga Shekulli Agency

refugjate-ballkan

Në pritje për hyrje në territorin e Maqedonisë ishin rreth 200 refugjatë, të cilët pas lejes për hyrje nga policia maqedonase, u ndanë pako ushqimore nga përfaqësues të organizatave joqeveritare humanitare.

 

Në orët e pasdites së sotme, kalimi i refugjatëve në kufirin jugor të Maqedonisë realizohet pa pengesa. Në vendkalimin kufitar greko-maqedonas në pritje për hyrje në territorin e Maqedonisë ishin rreth 200 refugjatë, të cilët pas lejes për hyrje nga policia maqedonase, u ndanë pako ushqimore nga përfaqësues të organizatave joqeveritare humanitare.

Refugjatët u drejtuan për në kampin e improvizuar që ndodhet në kufirin jugor të Maqedonisë, ku dhe do të marrin trenin për në vendkalimin kufitar Tabanoc, në veri të Maqedonisë.

Policia kufitare maqedonase njofton se do të komunikojnë edhe me kolegët grek, të cilët poashtu do të kontrollojnë refugjatët para se të lejohen të kalojnë nëpërmjet Maqedonisë, e cila sipas tyre do të kontribuojë që mos të ketë probleme të mëdha në të ardhmen, siç ndodhi në ditët e kaluara kur mijëra refugjatë nga Greqia hyrën në territorin e Maqedonisë, ndërsa policia maqedonase me qëllim që të mbrojë kufirin përdori edhe shok bomba për të shpërndarë refugjatët dhe për të qetësuar situatën.

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, Mitko Çavkov, i cili edhe gjatë ditës së sotme vizitoi vendkalimin kufitar greko-maqedonas, u shpreh se pret përshkallëzimin e krizës së refugjatëve nëse nuk kanë komunikim me homologun e tij grek, për të cilën siç tha ai, ka kërkuar ndihmë edhe nga Bashkimi Evropian.

Për shkak të pranisë së një numri të madh të refugjatëve në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, javën e kaluar Qeveria e Republikës së Maqedonisë shpalli “gjendje të jashtëzakonshme” në rajonet e kufirit jugor dhe verior të vendit. Në kufirin jugor të vendit janë të sistemuar një numër i madh i policisë dhe ushtrisë maqedonase, me qëllim që nëse është e nevojshme të reagojnë në mënyrë të përshtatshme. Tre ditët e fundit, në dy raste policia maqedonase përdori shok bomba për të shpërndarë refugjatët të cilët synonin të depërtojnë kordonin e sigurisë për të hyrë në territorin e Maqedonisë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas ndryshimeve të Ligjit për azil deri në ditën e shpalljes së krizës, ka lëshuar vërtetime për 41.414 shtetas të huaj, prej të cilëve 33.461 qytetarë nga Siria, 2.073 nga Afganistani, 1.937 nga Iraku, 1.198 nga Pakistani dhe nga vendet tjera një numër më i vogël.

Nga dita kur qeveria maqedonase shpalli gjendje të jashtëzakonshme, në Departamentin për Azil janë dorëzuar 47 kërkesa për dhënien e azilit, prej të cilëve 34 qytetar sirian përfshirë 10 fëmijë, ndërsa të tjerët nga Pakistani dhe Afganistani.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies