
Irani pretendon se ka zhvilluar “raketë balistike hipersonike” të re me kapacitet që të kapërcejë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA të Iranit, komandanti i Forcave Ajrore të Ushtrisë së Gardës Revolucionare të Iranit, Amir Ali Hajizadeh gjatë një aktiviteti të mbajtur në kryeqytetin Teheran tha se vendi i tij ka zhvilluar raketë të re balistike.
“Raketa balistike në fjalë ka shpejtësi hipersonike”, theksoi Hajizadeh i cili pretendon se ajo mund të kapërcejë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore dhe se ka aftësi manovrimi në atmosferë dhe jashtë saj.
Komandanti iranian nuk dha më shumë detaje lidhur me çështjen.
Raketat hipersonike të cilat mund të lëvizin me shpejtësi 5 herë më shumë se shpejtësia e zërit, nuk mund të pengohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore për shkak të këtyre cilësive.