
Inteligjenca e Francës ka shprehur shqetësime nga organizimi i mundshëm i sulmeve nga militantët ekstremistë të majtë francezë që kanë marrë pjesë në radhët e organizatës terroriste YPG/PKK në Siri, duke shtuar se vendi është duke i ndjekur këta persona nga afër, transmeton AA.
Sipas një lajmi në faqen e internetit Mediapart nga Franca, militantë francezë të ekstremit të majtë nga radhët e YPG/PKK-së kanë ardhur në Francë, ndërsa njësitë e inteligjencës ndihen të shqetësuar se këta persona mund të ndërmarrin sulm.
Mediapart raportoi se inteligjenca franceze është duke i përcjellur nga afër militantët pasi thuhet se i konsideron si kërcënim, ndërkohë që shqetësimi, siç theksohet, buron nga trajnimi i militantëve francezë në masën sa për të kryer sulm.
Në lajm raportohet se personi që në prill të vitit të kaluar hapi zjarr ndaj një helikopteri të xhandarmërisë në Notre Dame des Landes dyshohet të jetë militantë ekstremist i majtë që ka marrë pjesë në YPG/PKK dhe është kthyer në Francë.
Po ashtu, portali francez ka shkruar se militantët në fjalë shënjestrojnë vendet simbolike të Francës dhe se inteligjenca është duke i përcjellur rreth 100 militantë.
Lajmi po ashtu thekson se shumë shtetas të Francës kanë vdekur duke qenë në radhët e YPG/PKK-së në Siri, ndërsa disa të tjerë u janë bashkangjitur grupeve terroriste në Kolumbi dhe kanë ndërmarrë sulme terroriste.
Siç thuhet më tej në lajm, inteligjenca franceze ka bashkëpunuar me Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë (MIT) për gjetjen dhe kapjen e militantëve që vijnë nga Siria, ndërsa MIT ia ka dërguar Parisit bisedat që militantët kanë zhvilluar përmes programit Skype.