
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se vendimi i Qeverisë për “orë policore” në territorin e Kosovës për shkak të gjendjes së krijuar me përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) është jokushtetues.
Në vendimin e bërë publik sot, Kushtetuesja ka vendosur se ai nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës.
“Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj)”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjykata konstatoj se këto kufizime që janë bëre nga qeveria nuk janë të përcaktuara me ligj andaj janë në kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të kushtetutës.
Kushtetuesja thekson se këto të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj.
Qeveria me datë 23 mars 2020 kishte vendosur që të kufizojë lirinë e lëvizjes së qytetarëve gjatë dy orareve brenda 24 orëve, nga 10:00 deri në ora 16:00 dhe nga 20:00 deri në orën 06:00 për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) që kishte filluar të shfaqej me rastet e para nga 13 marsi në Kosovë dhe aktualisht janë 108 të infektuar.
Kundër këtij vendimi kishte dalë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e kishte cilësuar këtë vendim “në kundërshtim me Kushtetutën”, gjë për të cilin u kishte bërë thirrje edhe qytetarëve që të qarkullojnë lirshëm dhe ndaj këtij vendimi kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi i qeverisë ishte i bazuar në dy ligje, ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe ligjin për shëndetësi.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, këto dy ligje nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizoje lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e garantuara me kushtetutë mirëpo e autorizojnë ministrinë e shëndetësisë që të marrë masa në ato ligje.
“Gjykata theksoi faktin që Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i referohet zbatimit të dy ligjeve të lartcekura, të cilat e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të sëmundjeve ngjitëse. Megjithatë, Gjykata konstatoi se ligjet e lartcekura, nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese të përcaktuara me nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në nivel të të gjithë Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Vendimi i Kushtetueses sqaroi se Qeveria nuk mund të kufizojë asnjë të drejtë dhe liri themelore përmes vendimeve, nëse një kufizim i të drejtës përkatëse nuk është paraparë me ligj të Kuvendit.
Megjithatë, vendimi ka përcaktuar datën 13 prill 2020 si datë e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, respektivisht “shfuqizimin e Vendimit të kontestuar të Qeverisë”, duke e bërë ende valide “orën policore” aktuale, orari i së cilës që nga 27 marsi është nga ora 17:00 deri në orën 06:00.