
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Gjermani u rrit në 171, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara shkoi në rreth 34.000.
Faqja e internetit Coronavirus-Monitor me seli në Berlin, e cila përpilon numrat e azhuruara nga burimet lokale, ka raportuar sot për 171 raste të vdekjeve, përderisa dje ky numër ishte 159.
Numri i rasteve të konfirmuara në vend është rritur në 33.954.
Agjencia gjermane për kontrollin e sëmundjes paralajmëroi sot se vendi është ende në një fazë të hershme të përhapjes së koronavirusit (Covid-19).
“Ne jemi ende në fillim të epidemisë”, tha Lothar Wieler, presidenti i Institutit Robert Koch, në një konferencë për media të mbajtur në Berlin, ku u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin masat e shpallura nga qeveria për të zvogëluar përhapjen e virusit.
Gjermania ka forcuar kufizimet e koronavirusit me ndalimin e çdo kontakti shoqëror midis më shumë se dy personave në publik.
Shtetet federale urdhëruan mbylljen e të gjitha dyqaneve joelementare, ndërsa restoranteve u lejohet të punojnë vetëm duke ua dhënë konsumatorëve ushqimin me vete, apo duke bërë shpërndarje nëpër shtëpi.
Gjermania është shteti i tretë më i prekur nga koronavirusi në Evropë, pas Italisë dhe Spanjës.