Fillimi LajmeFrancë, 4 muaj nga nisja e protestave të “jelekëve të verdhë”

Francë, 4 muaj nga nisja e protestave të “jelekëve të verdhë”

nga Shekulli Agency

Që prej 4 muajsh në Francë vazhdojnë protestat e “jelekëve të verdhë” të cilat filluan si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe kushteve të këqija ekonomike, por të cilat më vonë u kthyen në protesta kundër presidentit Emmanuel Macron, shkruan AA.

Protestat e “jelekëve të verdhë” që vazhdonë prej kohësh pa ndërprerje që nga fillimi i tyre në Francë, janë bërë protestat me vazhdueshmërinë më të gjatë në vitet e fundit. Nga qeveria “jelekët e verdhë” presin që ajo të përmisojë kushtet dhe të bëjë hapa për zgjidhjen e problemeve ekonomike.

Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen ajo se numri i pjesëmarrësve në protesta javët e fundit është ulur, shifër kjo e cila më 17 nëntor 2018 kur filluan protestat ishte rreth 290 mijë njerëz, ndërkohë që javën e kaluar ishte rreth 28 mijë.

Demonstruesit sot do të mbajnë protesta në të gjithë vendin kryesisht në kryeqytetin Paris. Protestuesit synojnë të rrisin numrin e protestuesve dhe të rigjallërojnë lëvizjen në mënyrë që të shprehin reagimet e tyre ndaj Macron-it dhe qeverisë në mënyrë më efektive.

Priscillia Ludosky dhe Jerome Rodrigues nga liderët e “jelekëve të verdhë” bashkë me avokatin e tyre François Boulo kanë dhënë deklarata për AA.

Ludosky, duke bërë të ditur se lëvizja e “jelekëve të verdhë” është rritur dhe se në 4 muaj kanë arritur përparime të rëndësishme tha se “Protestat do të vazhdojnë. Është e rëndësishme të tregojmë se ndodhemi në rrugë”.

“Në protesta ka përdorim të tepruar të gazit lotsjellës dhe dhunës policore. Shumë hetime vazhdojnë. Në veçanti, ka raste kur policia ka përdorur dhunë të tepruar ndaj protestuesve. Prandaj, ne nuk mund të veprojmë lirshëm në protesta. Nëse qeveria ndërmerr hapa të forta, njerëzit mund të luftojnë në mënyra të ndryshme dhe jo duke organizuar protesta. Ka shumë gjëra që qeveria duhet t’i bëjë por të cilat nuk i bën”, tha Ludosky duke shtuar se bashkë me lëvizjen janë formuar shumë shoqata dhe se janë kryer disa punime.

Pasi kujtoi se Franca është paralajmëruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) për presionet dhe dhunën kundër protestuesve në demonstrata, ajo tha se “Madje disa vende i kanë thënë presidentit francez “interesohu për problemet e vendit tënd, jo me ato të vendit tonë”. Qëndrimi i Francës ndaj vendeve të tjera tërheq vëmendje. Sytë e komunitetit ndërkombëtar janë tek Franca”.

“Është kryer dhunë në vend që t‘u përgjigjen kërkesave që kemi”

Ndërsa Rodrigues i cili ka humbur një sy pasi është goditur nga një kapsollë e gazit lotsjellës gjatë protestave në Paris tha se “Protestat do të vazhdojnë deri kur qeveria të na dëgjojë. Qeveria në këto 4 muaj në vend që t‘u përgjigjet kërkesave që ne kemi ajo ka bërë edhe më shumë presion ndaj nesh duke përdorur policinë dhe duke u përpjekur që të na bëjë të heshtim”.

Rodrigues ka reaguar edhe ndaj projektligjit i cili u miratua në Asamblenë Kombëtare i cili parashikon dënime të ashpra ndaj protestuesve.

“Bota duhet të shqetësohet për dhunën ndaj ‘jelekëve të verdhë’. Macron i cili përpiqet t’i japë mësime Venezuelës dhe Algjerisë, po vepron më keq me popullin e tij”, tha Rodrigues, duke mbrojtur idenë e tij se qeveria po përpiqet ta paraqesë të ulët shifrën e pjesëmarrësve në protesta dhe se shifrat që ajo publikon nuk janë të drejta.

Avokati i “jelekëve të verdhë” Boulo tha se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të popullit. “Ka një qeveri të shurdhër e cila nuk dëshiron të dëgjojë asgjë. Qeveria u përgjigjet kundërshtimeve të popullit vetëm me presion policor dhe ligjor”, tha ai.

Më tej Boulo thekson se shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj “jelekëve të verdhë” kanë arritur në përmasa serioze dhe projektiligjin i cili parashikon ndëshkime të ashpra për protestuesit e ka cilësuar atë si një projektligj “fashist” që kufizon liritë e njerëzve.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies