Gjatë vitit 2012 janë regjistruar 1.662 hospitalizime, ndërsa viti i kaluar përfundoi me 1.905 raste të hospitalizimeve nga kjo sëmundje”, tha Jovkovska-Qaeva
Me rastin e Ditës Botërore të astmës, Instituti për Shëndet Publik (ISHP), Klinika për pulmologji dhe alergologji, Shoqata e pulmologëve të Maqedonisë dhe Shoqata e Maqedonisë për alergologji dhe imunologji klinike organizojnë ligjërata në 20 qendra në Maqedoni, me qëllim që të ndihmojnë se si të ballafaqohen personat e prekur nga kjo sëmundje.
Drejtoresha në Klinikën për pulmologji dhe alergologji, Biserka Jovkovska-Qaeva apeloi që personat e prekur nga astma të respektojnë rekomandimet e mjekëve dhe të ndjekin në kohë terapinë e duhur.
“Nëpër ambulancat e vendit gjatë katër viteve të fundit është regjistruar një rritje e hospitalizimeve nga kjo sëmundje. Gjatë vitit 2012 janë regjistruar 1.662 hospitalizime, ndërsa viti i kaluar përfundoi me 1.905 raste të hospitalizimeve nga kjo sëmundje”, tha Jovkovska-Qaeva.
Mjeku në Klinikën për pulmologji dhe alergologji, Angelko Gjorçev tha se numri më i madh i të prekurve nga astma janë nga Shkupi, për arsye se siç tha ai, numri më i madh i popullsisë së Maqedonisë jeton në këtë qytet dhe për arsye të ndotjes së madhe të ajrit.
“Ajo që me krenari mund të deklaroj është se gjatë 30 viteve të fundit, duke zbatuar programet botërore, në klinikën tonë nuk kemi raste të vdekjes nga astma”, u shpreh Gjorçev.
Nga Shoqata respiratore e Maqedonisë njoftojnë se astma është një nga sëmundjet më të shpeshta kronike në botë, nga e cila janë të prekur mbi 330 milionë persona në botë, ndërsa vlerësojnë se deri në vitit 2025 ky numër do të rritet për 100 milionë. Në nivel botëror janë regjistruar më shumë se 500 mijë hospitalizime dhe 250 mijë raste të vdekjes në nivel botëror.
/AA/