Fillimi LajmeErdogan: Turqia ka dëshmuar se mund të bëjë atë që dëshiron

Erdogan: Turqia ka dëshmuar se mund të bëjë atë që dëshiron

nga Shekulli Agency

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Rusia ka informuar autoritetet turke se terroristët u tërhoqën nga Siria veriore.

“Marrëveshja 120-orëshe me SHBA-të dhe marrëveshja 150-orëshe me Rusinë, që ne i arritëm janë mbyllur. Nesër ne do zhvillojmë bisedime”, tha Erdogan në pritjen e organizuar për Ditën e Republikës në Ankara.

Përveç Turqisë, tha Erdogan, të gjithë të interesuarit në Siri kanë qëllimin kyç për të kontrolluar burimet e naftës, duke shtuar më tej se, “Një kuptim primitiv të konsiderosh një pikë nafte më të vlefshme sesa një pikë gjaku”.

Presidenti turk po ashtu theksoi se “falë qëndrimit të matur dhe të vendosur të popullit tonë, organizatat terroriste pavarësisht mbështetjes së fuqishme nuk patën sukses”.

“Kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare dhe përgjegjësitë historike, Turqia ka dëshmuar se mund të bëjë atë që dëshiron, me aftësitë e veta, pa leje”, tha ai.

Më tej, Erdogan tha se “pothuajse asnjë nga liderët perëndimorë që na kontaktuan rreth operacionit ‘Burimi i Paqes’ nuk shprehën ngushëllimet e tyre për vdekjen e 20 personave dhe plagosjen e 184 vëllezërve”.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat, në mënyrë që të sigurojë kufijtë e saj, të ndihmojë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.

Javën e kaluar, presidenti Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një takim në qytetin rus Soçi.

Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta atje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies