Fillimi LajmeNew York, protestë kundër krimeve të serbëve gjatë luftës në Kosovë

New York, protestë kundër krimeve të serbëve gjatë luftës në Kosovë

nga Shekulli Agency

Në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) është protestuar kundër përdhunimeve dhe krimeve të luftës që nacionalistët serbë kanë kryer në vitet 1990-ta në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.

Protesta e organizuar nën udhëheqjen e Organizatës së grave shqiptaro-amerikane me titull “Përdhunimet dhe krimet e luftës së serbëve mbetën pa u ndëshkuar”, u zhvillua para Kryekonsullatës Serbe në New York.

Protestuesit e komuniteteve shqiptare, boshnjake dhe kroate të vendosur në SHBA, me flamuj dhe parulla në duar, kërkuan që dhjetëra mijëra përdhunime dhe krime të luftës që qeveria serbe ka kryer gjatë viteve 1991-2001 të hetohen.

Anëtari i Këshillit të Bashkisë së Qytetit New York me origjinë shqiptare, Mark Gjonaj, në fjalimin e tij të rastit tha se luftërat në Ballkan ende vazhdojnë për viktimat e tyre. “Disa mund të mendojnë se luftërat në Ballkan kanë përfunduar. Por për viktimat e përdhunimeve në Bosnjë, Kroaci, Kosovë asnjëherë nuk përfunduan. Ata edhe pas 20 vitesh çdo mëngjes zgjohen me faktin se personat që kanë kryer këto krime të tmerrshme janë të lirë e pa u ndëshkuar”, theksoi Gjonaj.

Ai më tej theksoi se rreth 70.000 viktima të përdhunimit ende presin drejtësi. “Nga qeveria e Serbisë kërkojmë që urgjentisht të veprojë për ndëshkimin e kryesve të këtyre krimeve të tmerrshme të kryera nën flamujt e saj”, u shpreh ai.

Ndër protestuesit ishte edhe Vasfije Krasniqi, e cila është një ndër viktimat e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, e cila tregoi se që 20 vite është duke luftuar për drejtësi.

“Serbët që më sulmuan më kishin thënë se nuk do të më vrasin që unë të vuaj më shumë duke jetuar. Sot refuzoj të fshihem dhe të vuaj dhe fuqishëm i bëj thirrje botës që fajtorët të dalin para drejtësisë”, tha ajo.

Protesta nën masa sigurie të policisë, përfundoi pa ndonjë incident.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies