Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, kritikoi rëndë lejimin e aktiviteteve të organizatës terroriste dhe separatiste PKK në Evropë.
Bekir Bozdag mbajti një fjalim me rastin e përurimit të selisë së Unionit të Demokratëve Turq Evropianë (UETD) në qytetin Strasburg të Francës.
“Në botën perëndimore po merren nën mbrojtje dhe strehohen pjesëmarrësit në tentativën për grusht shtetit të 15 korrikut 2016, ata që bombarduan Kompleksin Presidencial, ata që martirizuan qytetarët tanë dhe ata që u përpoqën të dëmtojnë shtetin tonë. Ky qëndrim bie ndesh me parimet e demokracisë dhe shtetit ligjor”, u shpreh ai.
Duke tërhequr vëmendjen se në Evropë merret ende nën mbrojtje organizata terroriste dhe separatiste PKK, Bozdag rikujtoi se PKK-ja pranohet si grup terrorist nga Këshilli Evropian dhe nga të gjitha vendet evropiane, megjithatë PKK-ja, e cila vret përditë njerëz të pafajshëm dhe pa kurrfarë dallimi në gra e fëmijë, lejohet të hapë ekspozitë në Këshillin Evropian, në Bruksel.
“Vallë a mund të hapë stendë apo ekspozitë DAESH-i ose një tjetër organizatë terroriste në Evropë? A mund të bëjë një propagandë? Jo, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha ministri Bozdag duke reaguar kështu ndaj vendeve perëndimore, të cilat bëjnë dallime ndërmjet organizatave terroriste.