Fillimi LajmeBotaSulmi në Berlin, 12 të vdekur dhe 48 të plagosur

Sulmi në Berlin, 12 të vdekur dhe 48 të plagosur

nga Shekulli Agency

Të paktën 12 vetë u vranë dhe 48 të tjerë u plagosën kur një kamion mbrëmë vonë hyri me forcë në tregun e stërmbushur të Krishtlindjeve në Berlin.

Zëdhënësi i policisë së Berlinit, Thomas Neuendorf iu drejtua mediave në vendin e ngjarjes në Breitscheidplatz, pranë kishës memoriale Kaiser Wilhelm në Kurfuerstendamm.

“Shoferi i kamionit ka ikur, por kemi arrestuar një të dyshuar për të cilin mendojmë se ishte shoferi. Ai aktualisht është duke u marrë në pyetje”, tha Nauendorf.

Sipas tij, bashkëshoferi u gjet i vdekur në vend, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të përcaktimit nëse fjala është për aksident apo sulm terrorist.

Policia e Berlinit kishte thënë më parë se bashkëshoferi i cili u gjet i vdekur është shtetas polak. Gjithashtu, policia në llogarinë e saj në Twitter ka konfirmuar se kamioni ishte me targa polake.

Gazeta gjermane “Welt”, nga ana tjetër, bëri të ditur se shoferi i dyshuar është refugjat nga Pakistani i cili në shkurt të këtij viti, ka arritur në Gjermani.

E përditshmja “Tagesspiegel”, thekson se shoferi ishte i njohur më parë për policinë për kundërvajtje, por jo për ndonjë lidhje me grupet terroriste.

Policia, megjithatë, nuk ka zbuluar identitetin e të dyshuarit, për shkak të hetimeve që po vijojnë.

Tregu i Krishtlindjeve në Berlin ndodhet në një nga rrugët më të frekuentuara ku ka me qindra kasolle prej druri dhe tenda për vizitorët.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies