Në shpërthimin që ka ndodhur në orën 02.05 (sipas orës lokale) në aeroportin “Sabiha Gökçen” të Stambollit janë plagosur dy vetë.
Një grua ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur pas një shpërthimi që ndodhi gjatë mbrëmjes së djeshme në aeroportin Sabiha Gökçen, që ndodhet në anën aziatike të Stambollit.
Zehra Yamaç, 30 vjeç, vdiq në spital për shkak të plagëve që kishte marrë në kokë gjatë shpërthimit që ndodhi në pistën e aeroportit. Ndërsa punonjësja tjetër e pastrimit Canan Çelik Burgucu, e plagosur në dorë, vazhdon të kurohet në spital.
Ende nuk ka informacione për shkakun e shpërthimit që ndodhi në pistën e aeroportit ndërkombëtar. Në zonë u dërguan shumë policë dhe ekipe të zjarrfikëses.
Njësitë e sigurisë kanë marrë masa intensive në të gjitha rrugët që të çojnë për në aeroport.
Terminali i fluturimeve të brendshme dhe ai i linjave ndërkombëtare si dhe avionët që gjendeshin në pistë janë kontrolluar me imtësi.
Avionët kryejnë pa probleme uljet dhe ngritjet në këtë aeroport dhe të gjitha fluturimet realizohen sipas orareve të planifikuara.