Bllokimin disaditorë të kamionëve me perime që vijnë nga Shqipëria në kalimin kufitar të Bllatës, ministria e Ekonomisë së Maqedonisë e ka arsyetuar me kontrolle dhe analizave sanitare.
Nga kjo ministri njoftuan sot se shumica e kamionëve tashmë kanë hyrë në Maqedoni, ndërsa po kontrollohen edhe tre kamionët e fundit, të cilët do të
lëshohen në momentin që do të dalin analizat sanitare.
Ministria e Ekonomisë informon se tregtia mes dy vendeve zbatohet në përputhje me funksionimin e CEFTA-s, respektivisht, sipas informacioneve të marra nga
Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë nuk ka pasur dhe nuk ka ndalesë të kamionëve shqiptarë, por vetëm kontroll të përforcuar në vendakalimin kufitar, thuhet në
njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë.
Prej atje thonë se këtë çështje e kanë ngritur edhe në mbledhjen qeveritare dhe se janë në koordinim me ministrinë e bujqësisë së Shqipërisë, në mënyrë që të gjenden mekanizma për tejkalimin e këtyre problemeve në të ardhmen.
Ky rast përsëritet për herë të dytë. Rasti i parë ndodhi në qershor të vitit të kaluar kur disa kamionë me mallra nga Shqipëria ishin bllokuar për pesë ditë në
vendkalimin e Bllacës dhe nga temperaturat e larta shumica e mallit ishte prishur dhe transportuesit kishin pësuar humbje prej disa mijëra eurosh.
Atëherë ministria e ekonomisë ishte arsyetuar se këto kontrolle janë të zakonshme.
Kësaj rradhe rreth 200 tonelata perime nga Shqipëria qëndruan për disa ditë në vendkalimin e Bllatës duke rrezikuar prishjen në çdo moment.
Perimet e bllokuara vinin nga fshatra Mertish, Goriçaj, Kemishtaj dhe Divjakë të jugut të Shqipërisë. Ekspertët dhe vetë transportuesit kanë alarmuar se malli i këtij
lloji rrezikon prishjen nëse qëndron më shumë se tri ditë në hapësirë të mbyllur.