Të dielën me fillim prej ora 11.00 Lëvizja BESA do të ndërmerr aksion për pastrimin e deponisë së mbeturinave në lagjen Drenovec të Tetovës. Ata thonë se po ndërmarrin këtë hapë duke parë joseriozitetin dhe papërgjegjshmërinë e Komunës së Tetovës lidhur me pastrimin e deponisë së mbeturinave, ndërsa kjo situatë sipas tyre shpjegon më së miri gjendjen e mjerë në udhëheqësinë e kësaj komune.
“Kohë më parë, me vullnetin me të mirë, Lëvizja BESA kërkoi nga institucionet komunale që të reflektojnë dhe të kryejnë detyrimet e tyre ndaj qytetarëve për pastrimin e mbeturinave. Kjo kërkesë e Lëvizjes BESA, e cila ishte e gatshme ta bëjë edhe vetë pastrimin e deponisë në lagjen Drenovec, sadopak i zgjoi nga letargjia funksionarët e BDI-së. Kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, në prononcimet e tyre publike u zotua se do të bëjnë pastrimin e kësaj deponie. Mirëpo, si edhe zakonisht, edhe ky ishte veç edhe një premtim më shumë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Besa, dega e Tetovës.
Ata kanë bërë thirrje derti tek qytetarët si edhe OJQ-të që të ju bashkohen në mbrojtjen e mjedisit, që bashkërisht ta realizojmë këtë aksion vullnetar.