Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka marrë pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të tunelit Euroazia (Avrasya) për automjetet i cili bashkon Azinë me Evropën duke kaluar poshtë ngushticës së Bosforit. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani.
Gjatë fjalimit të tij në këtë ceremoni Erdogan tha se Turqia është një vend i veçantë që lidh dy kontinentet.
“Falënderuar qoftë Zoti që jemi pjesë e një shteti dhe një qyteti që lidh kontinentet me njëri-tjetrin. Ky qytet është i tillë që për të mund të sakrifikosh çdo gjë. Për këtë arsye ne jemi të dashuruar pas tij. Themelin e kësaj vepre e hodhëm në Azi dhe falënderimi i takon Zotit. Ceremoninë e inaugurimit jemi duke e bërë në pjesën e Evropës”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Erdogan në fjalën e tij, raporton (AA).
“Nuk do të lejojmë të prishen marrëdhëniet me Rusinë”
Duke folur për ambasadorin rus në Ankara i cili humbi jetën si pasojë e një sulmi të armatosur, Presidenti Erdogan vuri në dukje pikëllimin për ndarjen nga jeta të ambasadorit Andery Karlov dhe më pas shtoi: “Nuk do të lejojmë që të prishen dhe të dëmtohen marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë.”
Duke vënë në dukje se ngjarja do të hetohet në të gjitha dimensionet, Presidenti Erdogan në vijim shtoi: “Forcat tona të sigurisë, gjyqësori dhe prokuroria do të hetojnë këtë ngjarje me të gjitha anët. Është ngritur një komision i përbashkët hetimor me Rusinë. Momentalisht puna për hetimet vazhdon. Jemi në një mendim të përbashkët me Presidentin Putin për mos prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, por në të kundërtën, për forcimin e tyre.”
“Nuk lejuam që terrori të na marrë në ndikim e tij”
Duke vënë në dukje qëndrimin e palëkundur kundër terrorizmit, Presidenti Erdogan tha: “Nuk lejuam që terroi të na marrë peng të axhendës së tij dhe nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Për këtë arsye vendosëm që këtë ceremoni të mos e shtymë. Dhe menduam që hapja e tunelit është gjëja më efektive kundër terrorizmit.”
Presidenti Erdogan theksoi gjithashtu se fuqia e terrorit nuk do të mjaftojë për të ndarë Turqinë dhe më pas shtoi: “Le të terrorizojnë sa të duan. Bashkoni sa të doni të poshtrit në një të vetëm. Nuk do të mund të ndani këtë popull. Nuk do t’ja arrini të copëtoni këtë popull.”