Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin qytetar në Mejë të Gjakovës për shënimin e 27 Prillit – Ditës së të pagjeturve të Kosovës.
Në një njoftim nga Presidenca thuhet se në ‘Tubimin Përkujtimor’ të organizuar në ‘Kompleksin Memorial’ në fshatin Mejë të Komunës së Gjakovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se përkundër asaj se Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur në botë shënohet më 30 gusht, ajo në Kosovë “me të drejtë” shënohet më 27 prill, në ditën kur forcat ushtarake dhe policore serbe vranë dhe masakruan 377 qytetarë të pafajshëm në Mejë të Gjakovës.
“Liria, demokracia dhe çdo vlerë e ndërtuar me mund dhe sakrificë në Kosovën e lirë, nuk është e plotë pa dënimin e kriminelëve për personat e vrarë, të masakruar dhe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe të varrosurve brenda dhe jashtë Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Duke theksuar se vlerëson punën e deritanishme të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, Thaçi tha se familjet e personave të pagjetur me të drejtë kërkojnë që të bëhet më shumë për zbardhjen e së vërtetës për më të dashurit e tyre.
“Ata me të drejtë kërkojnë ta dinë përfundimisht se kush kanë qenë urdhërdhënësit zyrtarë dhe ekzekutuesit e krimeve në periudhën 1998-1999. Institucionet vendore, shoqatat dhe komisionet për personat e pagjetur kanë bërë aq sa kanë lejuar kapacitetet e tyre në këtë drejtim. Përpjekjet për të ndriçuar çdo rast të krimit mbi civilët e pafajshëm nuk do të ndalen asnjëherë. Por, ajo çka mbetet jashtë mundësisë së ndikimit të institucioneve tona, i takon bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë trysni serioze tek Beogradi zyrtar, i cili posedon arkivat dhe të dhënat e sakta të veprimeve të ushtrisë dhe policisë serbe”, shtoi presidenti Thaçi.
EULEX-i: Nuk do të dorëzohemi kurrë
Në anën tjetër edhe Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX-i) në një komunikatë me shkrim ka shprehur se vazhdon të jetë i përkushtuar për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.
“EULEX-i është këtu për t’u ndihmuar institucioneve të Kosovës, kurse Kosova duhet të ecë përpara ndërsa merret edhe me çështjet nga e kaluara, përfshirë identifikimin e personave të pagjetur. Sa më shumë kohë që kalon, aq më i vështirë bëhet procesi i identifikimit, por derisa të jemi ne këtu, ne nuk do të dorëzohemi kurrë”, ka thënë Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou.
Duke vënë në dukje se zbulimi i fatit të rreth 1665 personave të pagjetur vazhdon të jetë prioritet për EULEX-in, në komunikatë thuhet se “Derisa EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar për kërkimin dhe identifikimin e të pagjeturve, ai po punon drejt zhvillimit të kapaciteteve vendase në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore duke u përgatitur që ta bëjë bartjen e përgjegjshme të këtij procesi në pronësi vendase. Që prej fillimit të misionit në dhjetor të vitit 2008, mbetjet mortore të 494 viktimave u janë kthyer familjeve të tyre. Ky është rezultat i punës intensive në teren, ku janë realizuar mbi 566 operacione në teren dhe janë analizuar rreth 2196 mostra të ADN-së”.