Fillimi JavaFranca dhe Britania thërrasin për vigjilencë shtetasit e tyre më 16 shtator në Kosovë

Franca dhe Britania thërrasin për vigjilencë shtetasit e tyre më 16 shtator në Kosovë

nga Shekulli Agency

Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) edhe Franca dhe Britania e Madhe u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që ndodhen në Kosovë, që të tregojnë vigjilencë gjatë ditës së mërkurë, përkatësisht në ditën kur do të shpallet aktgjykimi për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, raporton AA.

Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Francës thuhet se për këtë ditë janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës.

“Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës. Shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg këtyre tubimeve. Ata duhet të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme brenda qyteteve dhe në gjithë vendin deri në fund të ditës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.

Njoftim të ngjashëm ka bërë edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë gjatë javës së kaluar.

“Gjatë javës së ardhshme do të ketë tubime të mëdha në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane, përfshirë më 12 dhe 16 shtator. Kjo mund të shkaktojë disa pengesa, përfshirë vështirësi në qarkullim dhe në transportin publik. Mbani veten të informuar për zhvillimet lokale, planifikoni kohë shtesë për udhëtim dhe qëndroni larg turmave të mëdha ose protestave”, thuhet në njoftim.

SHBA-ja ftoi shtetasit amerikanë në Kosovë për kujdes më 16 shtator dhe të kufizojnë lëvizjet në zonën përreth vendbanimeve dhe të shmangin udhëtimet drejt vendit të punës apo shkollave, nëse rruga e tyre kalon përmes zonave të prekura, pasi mund të mos arrijnë ta përfundojnë udhëtimin në kohë.

“Personeli i qeverisë së SHBA-së është këshilluar t’i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së çrregullimeve në trafik”, thuhet në njoftim.

Po ashtu edhe Komuna e Prishtinës ka thënë se është duke e shqyrtuar mundësinë që të mërkurën më 16 shtator të ndërpritet procesi mësimor, por sipas zyrtarëve komunalë, për këtë ende nuk është marrë vendimi përfundimtar.

Nesër, më 16 shtator, shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies