Sot kremtojmë 716-vjetorin e themelimit të Perandorisë Osmane. Sot përkujtojmë me të mirat e tij një shtet të madh botëror, i cili për 622 vjet sundoi në Azi, Evropë dhe Afrikë.
Tokat e Anadollit, të cilat ishin nën sundimin e Perandorisë Bizantine, ishin braktisur për shkak të sulmeve shekullore arabe. Perandoria Bizantine, e cila nuk kishte marrë masa efektive ndaj dyndjeve arabe, ndërmori një veprim të fundit dhe vendosi që duke filluar nga viti 1064 ti dëbojë jashtë Anadollit turqit që ishin vendosur në zona si Ani dhe Ahlat. Trupat bizantine të komanduara nga Diogjeni, pavarësisht epërsisë që kishin në numër, në vitin 1071pësuan humbje ndaj ushtrisë turke të komanduar nga Sulltan Alparslani në betejën e Malazgirtit. Me fitoren e luftës së Malazgirtit nga turqit, filloi edhe procesi i banimit dhe kthimit të Anadollit në atdhe duke e quajtur atë Diyar-i Rum (Vendi i Romës).
Me mijëra turkmenë të ardhur nga Azia Qendrore u vendosën në të katër anët e Anadollit. Njëri prej fiseve turke Oguz që ishin vendosur në Anadoll ishte edhe fisi Kayi. Selxhukët e Anadollit, të cilët si kryeqytet kishin Konya-n, fisit Kayi i dhanë zonat Sogut (Söğüt) dhe Domaniç, krahina që ndodheshin në kufirin me Perandorinë Bizantine. Fisi Kayi numëronte 400 çadra dhe si udhëheqës kishte Ertugrul Gaziun. Pasi u vendos në këtë zonë ky fis filloi fushatat ushtarake dhe dyndjet drejt zonave përreth duke i ngadhënjyer ato.
Si rezultat i sukseseve të korrura në këto beteja, djali i vogël i Ertugrul Gazi-ut, Osman Beu pas vdekjes së babait kaloi në krye të fisit. Me largimin nga Konya të sulltanit të fundit selxhuk në vitin 1299 për shkak të dyndjeve mongole, principata osmane shpalli pavarësinë ashtu si edhe principatat e tjera turke në Anadoll. E themeluar në kufirin e Perandorisë Bizantine dhe përballja me feudalët bizantinë, në dallim me fiset tjera që luftonin me njëri-tjetrin, bëri që kjo principatë të rritet më shpejtë. Turkmenët e ardhur nga Azia Qendrore filluan të bashkohen me principatën osmane me qëllim për t’u bërë ngadhënjimtarë dhe për të përfituar nga territoret e gjera. Kjo principatë, e cila u forcua nga aspekti numrit të banorëve, së fundmi rrethoi qytetin e Bursës, që në atë kohë ishte vendbanimi më i madh i rajonit. Gjatë marrjes së qytetit Osman Gaziu humbi jetën. Principata vazhdoi të rritet edhe gjatë kohës së Orhan Gaziu, që ishte djali i tij e që kaloi në vend të babait. Osmanlinjtë, të cilët pas një kohe të shkurtër kaluan në Evropë nëpërmjet Çanakalasë, filluan të bëhen pjesë edhe e historisë evropiane. Me marrjen e qytetit Edrene, u transferua këtu edhe kryeqyteti i osmanëve. Në këtë mënyrë osmanlinjtë i bënë të ditur botës se këtu ata do të qëndronin për një kohë të gjatë.
Marrja e Stambollit gjatë periudhës së Sulltan Mehmetit të 2-të ndryshoi edhe historinë botërore. Ndërkohë që mori fund mesjeta, filloi një periudhë e re. Rilindja dhe reformat që kishin filluar në Perëndim me ndikimin edhe të marrjes së Stambollit patën një ndikim të thellë në historinë botërore. Sulltan Mehmeti, i cili mori edhe titullin Ngadhënjimtar, në të njëjtën kohë njihet edhe ne titullin e Cezarit, që ishte titulli i përbashkët i perandorëve romakë. Principata Osmane, e cila tani ishte kthyer në Perandori, veten e shihte si vazhdim i Perandorisë Romake. Perandoria Osmane, e cila ashtu sikurse perandoritë tjera ishte multifetare dhe shumëkombëshe, në shërbimet shtetërore, pra në administratë ajo i vlerësonte edhe elementët e tjerë qe nuk ishin turq apo myslimanë. Me mijëra armenë, grekë, kroatë dhe serbë u përgatitën si nëpunës shtetërorë dhe u emëruan në detyra të larta. Mehmet Pasha Sokoloviçi, i cili ishte një serb i konvertuar në mysliman, ka qenë njëri prej burrave shtetërorë më të fuqishëm të historisë osmane. Ai planifikonte të hapte një kanal që do të lidhte Detin e Zi me Detin Kaspik dhe në këtë mënyrë të sillte forca të reja turke në Anadoll dhe të përfundonte pushtimin e Evropës. Kjo perandori mund të ngjasojë me një tren, ku lokomotiva janë turqit ndërsa elementët e tjerë përbëjnë vagonët.
Gjatë periudhës së Sulltan Javuz Selimit Perandoria Osmane mori përsipër edhe Kalifatin dhe në këtë mënyrë sulltanët osmanë filluan të administrojnë një territor të gjerë. Ndërkaq gjatë periudhës së Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm kjo perandori arriti në kulmin e saj. Historia e Evropës, Azisë dhe e Afrikës nuk mund të kuptohet qartë nëse nuk studiohet edhe historia osmane. Osmanlinjtë i kushtuan rëndësi të vepruarit në mënyrë të drejtë në të gjitha rajonet që ata administronin. Shteti osman i qëndroi larg kolonizimit. Ai i shmangej përdorimit të forcës, përveç rasteve të kryengritjeve. Edhe Palestina me Jerusalemin, të cilët në ditët e sotme janë problemi më i madh i Lindjes së Mesme, gjatë Perandorisë Osmane nuk kishin asnjë problem. Rajoni jetonte në një atmosferë paqësore.
Ashtu si çdo perandori tjetër edhe Perandoria Osmane u fshi nga skena e historisë si pasojë e zhvillimeve ekonomike të kohës që ndodhën me ndikimin e risive industriale e shkencore. Sot kremtojmë me entuziazëm përvjetorin e themelimit të Perandorisë Osmane, e cila dha shembuj të rëndësishëm në çështjen e sundimit me drejtësi në botë dhe që përbën një pjesë të rëndësishme të historisë turke.



