Është organizuar sot në Tiranë nën kujdesin e Shoqatës Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), aktiviteti për promovimi i librave “Popullsia Osmane 1830-1914” dhe “Politizimi i Islamit” me autor Prof.Dr Kemal H.Karpat
Është organizuar sot në Tiranë nën kujdesin e Shoqatës Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), aktiviteti për promovimi i librave “Popullsia Osmane 1830-1914” dhe “Politizimi i Islamit” me autor Prof.Dr Kemal H.Karpat.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë si referues autori i dy veprave, Prof.Dr Kemal H.Karpat, si dhe studiuesit Prof. Asoc. Dritan Egro, Abdi Baleta dhe Prof.Dr.Ismail Bardhi. Krahas referuesve në këtë program merrnin pjesë përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, zyrtarë të lartë të vendit, studiues dhe dashamirës të librit.
Kryetari i Shoqatës Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), Mehdi Gurra, në fjalën e tij përshëndetëse ka bërë një prezantim të shkurtër të veprave. Ai duke paraqitur një përmbledhje për këto dy libra ka vënë në dukje nevojën dhe kërkesën e lexuesit shqiptarë për librat në fjalë.
”Këto vepra do të kontribuojnë për plotësimin e një vakumi ekzistues për studimet e periudhës Osmane. Duke u konsideruar si referenca jo vetëm nga studiues dhe historianë, por edhe për politikanë dhe intelektualë me interesa të gjëra, këto dy libra ndihmojnë për të ndërtuar dinamikën dhe për të kuptuar më mirë historinë e rajonit të Ballkanit”,- është shprehur Gurra ndër të tjera në fjalën e tij.
Ndërsa këshilltari pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Cem Baş në fjalën e tij përshëndetëse i ka uruar mirëseardhjen autorit të librave dhe e ka cilësuar atë si një historian të rëndësishëm për Turqinë. Ai veprat e përkthyera i vlerësoi si të rëndësishme për të gjithë lexuesit shqiptarë në Shqipëri dhe vendet e tjera ku ata jetojnë.
Duke falënderuar edhe historianët dhe studiuesit shqiptarë për praninë e tyre Baş në vijim të fjalës së tij falënderoi shoqatën ALSAR për punën e bërë në përkthimin dhe botimin e veprave të ndryshme.
Nga ana tjetër autori i dy veprave, Prof.Dr Kemal H.Karpat, në fjalën e tij dha detaje mbi njohjen e tij të parë me shqiptarët. Autori duke i’u referuar studimeve të tij më tej u shpreh se i shikon shqiptarët si një simbol i ndryshimeve dhe njëkohësisht vuri theksin mbi rëndësinë e tyre në jetën shoqërore të Perandorisë Osmane dhe jetës shoqërore të Turqisë moderne.
Duke prekur emra dhe vlera të shoqërisë shqiptare autori e vuri theksin mbi disa personalitete të cilat janë një vlerë e përbashkët e dy kombeve.
