Politikë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka vlerësuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për rolin e tij në nënshkrimin e marrëveshjes historike për të zhbllokuar eksportet e grurit, që gjithashtu përfshin dërgesat e ushqimeve dhe plehrave ruse, raporton AA.
Këto komente presidenti Putin i bëri para takimit të tij me presidentin Erdoğan, i cili qëndron në një vizitë njëditore në qytetin bregdetar rus Soçi.
Presidenti rus foli edhe për gazin natyror, duke theksuar se, “Rrjedha Turke, ndërtimin e të cilës e përfunduam pak kohë më parë, është një nga arteriet më të rëndësishme për furnizimin e Evropës me gaz rus”.
Ai theksoi se “Rjedha Turke” po funksionon pa probleme dhe shtoi se vendet evropiane duhet të jenë mirënjohës që mund të blejnë gazin rus përmes “Rrjedhës Turke”.
Gazsjellësi prej 930 kilometrash do të transportojë gazin rus nën Detin e Zi përmes Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë, me një seksion tjetër që do të arrijë në Türkiye.
Me një kapacitet prej 31.5 miliardë metra kub në vit, ky projekt është gazsjellësi në det të hapur me diametrin më të madh në botë i instaluar në thellësi të tillë.
Duke theksuar se Rusia ka shumë projekte strategjike që po realizohen së bashku me Türkiye-n, Putin tha se Moska shpreson të rrisë vëllimin e saj të tregtisë me Türkiye-n.
Putin po ashtu shprehu shpresë se gjatë takimit do të nënshkruhet një memorandum për zhvillimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike.
Sipas presidencës turke, Erdoğan dhe Putin në takim do të diskutojnë çështjet rajonale dhe ndërkombëtare si dhe marrëdhëniet midis Türkiye-s dhe Rusisë. Liderët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë dhe më pas do të kryesojnë bisedimet ndërmjet delegacioneve.
Më 22 korrik, Türkiye, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshje historike për të rihapur tre portet ukrainase për eksportet e grurit të Ukrainës, që ishte bllokuar për muaj të tërë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Suedia thirri në Ministrinë e Punëve të Jashtme ambasadorin rus në Stockholm, Victor Tatarintsev, pas komenteve të bëra në llogarinë e ambasadës në rrjetet sociale për luftëtarin vullnetar suedez të vrarë në Ukrainë.
Sipas lajmit të gazetës “Aftonbladet”, ambasadorit rus Tatarintsev i thirrur në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, i është përcjellë se janë dënuar komentet e bëra në llogarinë e rrjeteve sociale të ambasadës dhe agresioni i vazhdueshëm i Rusisë ndaj Ukrainës.
Ministria nuk dha detaje rreth çështjes. Në postimin e ambasadës ruse në Stockholm thuhet se luftëtari vullnetar suedez i vrarë në Ukrainë “ka merituar vdekjen”.
Një shtetas suedez i moshës rreth 30-tave, i cili i dha fund kontratës së tij me Forcat e Armatosura të Suedisë dhe iu bashkua ushtrisë ukrainase, u vra muajin e kaluar.
Kurti: Në momentin kur do të hiqen të gjitha barrikadat, do të vlejë shtyrja e zbatimeve qeveritare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti se në momentin kur do të hiqen të gjitha barrikadat në veri të vendit, do të vlejë shtyrja e zbatimeve qeveritare në lidhje me dokumentet e hyrje-daljes.
Në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti u shpreh se mbrëmë ka pasur 9 barrikada me njerëz të armatosur në pjesën veriore të vendit, duke theksuar se “barrikadat janë hequr kur të mos mbetet asnjë prej tyre”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e përsërit zotimin që në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët atje, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë për datën 1 shtator”, theksoi Kurti.
Ai gjithashtu u shpreh se vazhdon zbatimi i vendimit qeveritar në të gjitha vendkalimet kufitare, përpos në Jarinje e Bërnjak.
“Pikat kufitare Jarinje e Bërnjak ende mbeten të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpijnë atje. Në të gjitha pikat tjera kufitare po lëshohet dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia me validitet 90-ditorë”, tha Kurti.
Duke folur për incidentet e mbrëmshme, kryeministri kosovar tha se mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të policisë së Kosovës, ndërsa gjithashtu janë ndaluar dhe sulmuar qytetarë.
“Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallëherë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë, sepse ato i mbështet i tërë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda e të qarta të ligjit të bëra dje, e me të cilat po merren policia dhe prokuroria”, u shpreh Kurti.
Ai tha se fatmirësisht nuk ka të plagosur me armë zjarri ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare, e të mos bien pre e lajmeve të rrejshme.
Kurti theksoi se masat e institucioneve nuk bëhen në bazë të përkatësisë etnike, por theksoi se dhuna nuk do të tolerohet dhe dhunuesit do të dënohen sipas ligjit.
“U bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, BE-së dhe NATO-s, që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat qartazi janë të nxitura, përgatitura dhe financuara nga Beogradi”, tha Kurti.
Ai falënderoi diplomatët e huaj për kontributin e mbrëmshëm në zbutjen e gjendjes, duke thënë se e kupton brengën e tyre që vjen si pasojë e fushatës së dezinformimit të ndërmarrë nga Serbia.
Ministri i Brendshëm, Sveçla tha se sipas informatave të fundit, disa prej barrikadave janë hequr dhe se po vijon heqja në disa të tjera. Sipas ekipit të AA-së që ndodhet në Rudare të komunës së Zveçanit, janë hequr kamionët që bllokonin rrugën.
Sveçla informoi se gjithsej 11 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas sulmeve fizike ndërsa janë dëmtuar edhe disa automjete të qytetarëve si dhe automjete policore.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka deklaruar se Pekini do të forcojë bashkëpunimin me Iranin.
E përditshmja kineze ‘Global Times’ raportoi se presidenti Xi në një telefonatë me homologun e tij iranian, Ebrahim Raisi, tha se “Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Iranin brenda Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe kornizave të tjera”.
Biseda telefonike u mbajt derisa SCO po mban një samit të ministrave të jashtëm në kryeqytetin Tashkent të Uzbekistanit. Irani po ashtu është anëtar i SCO-së.
Presidenti Xi tha se Kina mbështet “rrugët e zhvillimit të pavarur” të vendeve të Lindjes së Mesme.
Kina dhe Irani i kanë zhvilluar marrëdhëniet e tyre dypalëshe në nivel strategjik dhe po ashtu kanë nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës Pekini në 25 vitet e ardhshme do të investojë më shumë se 400 miliardë dollarë në Iran.
Më herët gjatë ditës, presidenti kinez foli edhe me homologun e tij polak, Andrzej Duda.
Xi tha se Kina e sheh Poloninë si një “partner të preferuar në Evropë dhe është i gatshëm të rrisë besimin politik dhe të vazhdojë të përmirësojë partneritetin strategjik gjithëpërfshirës”.
Dy presidentët diskutuan edhe situatën në Ukrainë.

Greqia kohët e fundit ka shkelur qëllimisht kushtet e Traktatit të Paqes të Lozanës, tha Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan.
Në një video-mesazh me rasstin e 99-vjetorit të Traktatit të Paqes së Lozanës, presidenti Erdoğan tha: “Kushtet e Traktatit të Paqes të Lozanës, veçanërisht të drejtat e pakicës turke, së fundmi janë shkelur qëllimisht nga Greqia”.
“Nuk është e mundur që vendi ynë ta pranojë këtë situatë, e cila është e papajtueshme me parimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe besnikërisë ndaj traktatit”, shtoi ai.
Turqia po forcon pozicionin e saj aktiv në çështjet rajonale dhe globale ndërsa bën hapa të fortë drejt vitit 2023, 100-vjetorit të Traktatit të Paqes të Lozanës dhe themelimit të Republikës së Türkiye-s, shtoi ai.
Traktati u nënshkrua më 24 korrik 1923 pas fitores turke në Luftën e Pavarësisë.

Perëndimi ka marrë pozitën e udhëheqësit në botë kryesisht përmes “grabitjes së kombeve të tjera” dhe nuk mund të ofrojë modelin e vet të së ardhmes, tha presidenti rus Vladimir Putin.
Duke folur në seancën plenare të forumit të Agjencisë për Iniciativat Strategjike – një organizatë autonome jofitimprurëse e krijuar nga qeveria ruse – Putin theksoi se një “epokë e re” po lind në historinë botërore, duke shtuar se vetëm shtetet e vërteta sovrane mund të shfaqin dinamikë të lartë rritjeje.
“Rusia duhet të ecë përpara, është e papranueshme vetëm të kënaqemi me të kaluarën tonë dhe të gëzohemi për sukseset e të parëve tanë”, tha ai.
Putin vuri në dukje se i ashtuquajturi modeli “miliardi i artë” i Perëndimit është i padrejtë pasi i ndan njerëzit në klasa, duke e quajtur atë “racist dhe neo-kolonial”.
Rendi botëror unipolar ishte një frenim për zhvillimin, tha Putin.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi konkluzionet që e obligojnë Qeverinë të vazhdojë procesin me Bashkimin Evropian (BE) dhe të miratojë kornizën e negociatave për negociatat e anëtarësimit me BE-në e propozuar nga Presidenca e Francës me Këshillin e BE-së më 30 qershor 2022, raporton (AA).
Me 68 vota ‘pro’, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut miratuan konkluzionet për propozimin francez, me të cilin duhet të zhbllokohet integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut.
Rusia: Në takimin e mbajtur në Istanbul për grurin e Ukrainës u formuluan disa elementë të marrëveshjeve të mundshme

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se në takimin katërpalësh të mbajtur në Istanbul mes Türkiyes, Rusisë, Ukrainës dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) për daljen e grurit nga portet e Ukrainës u formuluan disa elementë të marrëveshjeve të mundshme transmeton (AA).
Në një konferencë javore për media në kryeqytetin Moskë, Zakharova foli lidhur me çështjet aktuale.
Zakharova theksoi se dje në Istanbul u mbajt një mbledhje katërpalëshe mes delegacioneve të Türkiyes, Rusisë, Ukrainës dhe delegacionit të OKB-së për sigurimin e daljes së grurit nga portet e Ukrainës.
“Në mbledhje u diskutua në mënyrë të detajuar problemi i grurit. U arrit të formulohen disa elementë të marrëveshjeve të mundshme. Këto elementë diskutohen në Rusi, Ukrainë dhe Türkiye nëpërmjet institucioneve ushtarake”, tha Zakharova.
Më tej, Zakharova tha se kontaktet lidhur me grurin do të vazhdojnë në të njëjtin format.
Ajo foli për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe theksoi se vendet perëndimore i dërgojnë armë Ukrainës.
“Operacioni special ushtarak që Rusia ka ndërmarrë në Ukrainë do të vazhdojë dhe të gjitha objektivat që ka përcaktuar administrata ruse do të përmbushen, pavarësisht se SHBA dhe aleatët e saj përpiqen të forcojnë aftësitë ushtarake të regjimit të Kievit”, shtoi Zakharova.
– “Procesi i normalizimi të marrëdhënieve Türkiye-Armeni në dobi të rajonit”
Në fjalën e saj lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Türkiyes dhe Armenisë, Zakharova u shpreh se janë të gatshëm që të ofrojnë mbështetje për procesin në fjalë edhe në të ardhmen.
“Veprojmë nga e vërteta se kjo është në dobi të stabilitetit dhe mirëqenies ekonomike të rajonit”, deklaroi ndër të tjera Zakharova.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov deklaroi se Perëndimi është përgjegjës për vdekjen e civilëve në rajonin e Donbasit dhe zonat tjera të Ukrainës.
Lavrov i cili vizitoi kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, pas vizitës me ministrin e Jashtëm vietnamez, Bui Thanh Son, potencoi lidhjet ndërmjet Rusisë dhe Vietnamit. “Tregtia dypalëshe u rrit me një të katërtën vitin e kaluar, pavarësisht kufizimeve dhe sanksioneve të paligjshme për shkak të pandemisë së COVID-19. Kjo tendencë vazhdon në mënyrë të qëndrueshme në muajt e parë të këtij viti”, tha Lavrov.
Ai tha se vendet perëndimore vendosin sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë ndërsa Vietnami nuk mori pjesë në sanksionet në fjalë dhe ata e vlerësuan atë.
Duke u ndalur në çështjen e sulmeve të Rusisë në qytetet Belgorod dhe Kursk, Lavrov theksoi se “ushtria ruse goditi qytetet e veta për të ndaluar dërgesat e armëve në Ukrainë nga vendet perëndimore”, duke shtuar: “Ata gënjejnë. Faktet janë të njohura dhe këto fakte prezantohen çdo ditë nga Ministria ruse e Mbrojtjes Ruse”, tha Lavrov.
“Perëndimi duhet të kuptojë se është përgjegjës për vdekjet e civilëve, veçanërisht në rajonin e Donbasit dhe rajone të tjera të Ukrainës. Qeveria e Kievit po përdor armët e furnizuara nga Perëndimi kundër popullsisë civile si një mjet frikësimi këtu. Ky është terrorizëm shtetëror”, tha ministri i Jashtëm rus.
