Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një fjalim të mbajtur në ceremoninë e përcjelljes së anijes në kantierin e ndërtimeve të anijeve Tuzla-Sedef në Stamboll tha se “Turqia nuk ka vendosur dhe nuk vendos në pozitë të vështirë askënd nga ata që i besojnë, që janë të besueshëm dhe që investojnë. Një pjesë e madhe e investitorëve ndërkombëtarë vazhdojnë investimet në vendin tonë duke i rritur ato sepse ata e shikojnë këtë të vërtetë”.
Erdoğan, ka theksuar gjithashtu se nga 4 anijet e ndërtuara për të përballuar nevojat në energjinë elektrike, 2 prej tyre do të kontribuojnë për Indonezinë dhe 1 në Gana dhe tjetra në Mianmar.
Gjithashtu ai ka shprehur përgëzimet ndaj kompanisë Karadeniz Holding, e cila me projektet Powership e vendos në një vend të rëndësishëm në botë Turqinë në fushën e ndërtimit të anijeve të energjisë dhe në fushën e menaxhimit të tyre. Presidenti i Turqisë ka shtuar se kompania aktualisht operon në Liban, Gana, Indonezi, Zambia me 9 anije që tejkalojnë një kapacitet pre 1.500 megavat dhe se me anijet e reja ajo do të mundësojë një rritje me një kapacitet prej 6.000 megavat.
“Aktet e organizatave terroriste ndjehen vetëm në vendin dhe momentin ku ato kryhen. Përveç kësaj ato rritin trishtimin, zemërimin tonë, por kurrë nuk ndikojnë në punët tona. Edhe sikur ajo të jetë tentativë për grusht shteti, në mëngjes vazhdon çdo gjë të funksionojë në mënyrë të përkryer në vend”, është shprehur ndër të tjera Presidenti Erdoğan.
Gjithashtu në fjalën e tij Presidenti Erdoğan ka theksuar se “Ky është ndryshimi ynë; që në të njëjtën kohë realizojmë projektet, në një kohë duke përballuar problemet të cilat çdonjëri prej tyre janë të mjaftueshëm që të gjunjëzojnë çdo vend tjetër ku ato mund të zbatohen”.
Ndër të tjera duke vënë në dukje se problemi më i madh i Turqisë është se nuk mund të shpjegojë vetveten në mënyrën e drejtë, Erdoğan, ka theksuar:
“Shkaku i vërtetë i kësaj janë veçoritë unike që Turqia posedon. Unë nuk di ndonjë vend tjetër që të ketë kaq shumë probleme dhe në të njëjtën kohë të ketë një ekonomi kaq të madhe. Pamja që vëren kur shikon Turqinë një person që nuk e njeh thellë vendin dhe popullin tonë është kjo: është një vend që ndodhet në objektivin e të gjitha organizatave terroriste të rëndësishme, është i përfshirë në mënyrë aktive në zhvillimet në rajonet më të trazuara të botës në Siri dhe Irak, është një vend i ndërthurur me zonat me potenciale të mundshme të krizës si Ballkani, Deti i Zi, Kaukazi. Madje një vend që para 4 muajsh është përpallur me një tentativë për grusht shteti. A është e drejtë kjo? Sigurisht që po. Por çështja është se Turqia nuk është vetëm një vend i të gjitha këtyre gjërave. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Atëherë të vërejmë se çfarë ka në anën tjetër. Në anën tjetër ndodhet një Turqi e cila çdo ditë kryen hapjen e projekteve në nivel botëror, kryen përgatitje për projekte të reja, me rezistencën e fortë nuk largohet nga objektivat e saj përballë krizave rrënuese, një Turqi e cila rritet, forcohet dhe zhvillohet”.