Kosovë, promovohet libri monografik për dijetarët shqiptarë të Perandorisë Osmane

Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë është promovuar libri “Dijetarë Shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912) sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Islam”.

Libri monografik me autorët Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra, paraqet jetën dhe veprën e rreth 200 dijetarëve shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës.

Kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava tha se vepra paraqet ndër projektet më të rëndësishme të studimeve që ka realizuar BIK-u në dekadat e fundit.

“Kjo është vepra e parë me karakter enciklopedik e botuar nga BIK-u, por është e para edhe në Kosovë dhe trojet shqiptare në të cilën mbi bazën e dokumenteve osmane të kohës së patrajtuar më parë përfshihen dhe ndriçohen biografitë e 200 personaliteteve shqiptare të shquar të dijes që i kanë takuar elitës intelektuale të kohës dhe që kanë vepruar në dekadat e fundit të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të”, tha Tërnava.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se kjo vepër është me shumë vlerë për kulturën, trashëgiminë historinë dhe arsimin shqiptar.

Çeku tha se është tejet e rëndësishme të ketë prurje të tilla ngase ato e zgjerojnë bazamentin e dijes dhe të horizonteve për ata që ngjizën procesin e ndërtimit dhe të ruajtjes së identitetit shqiptar.

“Hulumtimet e tilla që janë bërë me bazë në dokumentet osmane të kohës, të patrajtuara më parë për dijetarët shqiptarë në Perandorinë Osmane shërbejnë si dëshmi për punën e shqiptarëve në shoqërinë e asaj kohe. Ky libër përmes biografive të personaliteteve të shquara të dijes nga të gjitha trojet shqiptare, vë në pah edhe shumë të dhëna të tjera me rëndësi për vendin dhe kombin tonë të cilat i përkasin trashëgimisë kulturore”, tha Çeku.

Ministri tha se libri paraqet një numër të madh asetesh kulturore si xhami, fshatra, shkolla, vendbanime, të cilat për shkak të rrethanave shoqërore dhe politike sot nuk njihen në detaje ose edhe më keq, janë shkatërruar.

Përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës bashkë me autorë të këtij libri shpalosën para një publiku me qindra pjesëmarrës detaje të librit.

Ata thanë se në monografinë e cila deri në botim mori rreth dy vite punë, janë të përfshirë një elitë e dijetarëve, të cilët kishin funksione të ndryshme gjatë periudhës 1880-1912 deri edhe tek pozita e ligjëruesit të sulltanit, pozitë e cila kërkonte përgatitje të hollë profesionale.

Pjesëmarrës, në promovimin e këtij libri kanë qenë edhe profesorë nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, historianë, studentë e qytetarë të shumtë.

Shekulli Agency