Mbahet paneli për kontributin e organizatave të punëmarrësve në marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri

Konfederata HAK-İŞ dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) kanë organizuar panelin me temë “101-vjetori i marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri: Kontributi i organizatave të punëmarrësve në marrëdhëniet midis dy vendeve”, raporton Anadolu.

Në aktivitetin e organizuar me mbështetjen e Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në ambientet e një hoteli në Tiranë, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të organizatave të ndryshme nga të dyja vendet dhe të ftuar të tjerë.

Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, në fjalën e tij u shpreh se TIKA është përpjekur të forcojë marrëdhëniet midis dy kombeve përmes afro 600 projekteve që përfshijnë fusha si përmirësimi i infrastrukturës administrative dhe civile, arsimi, kujdesi shëndetësor, shkëmbimi kulturor, bujqësia, blegtoria dhe turizmi që nga viti 1996.

“Ne besojmë se organizimi i këtij paneli dhe kontributi që kanë dhënë këto dy organizata në marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri të cilat në vitin 2024 kanë hyrë në shekullin e tyre të dytë, do na ndihmojë të vlerësojmë të tashmen, të përcaktojmë hapat që duhen ndërmarrë në të ardhmen, si dhe të forcojmë frymën e vëllazërisë dhe zhvillimin e fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha Atay.

Presidenti i Konfederatës HAK-İŞ , Mahmut Arslan, në fjalën e tij tha se paneli është i rëndësishëm, pasi sipas tij organizohet në kuadër të 101-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri.

Ai shtoi se sindikatat janë tepër të rëndësishme “pasi ndikojnë edhe për demokracinë dhe fuqinë e vendit”.

“Marrëdhëniet tona janë qindravjeçare dhe kemi qenë gjithmonë së bashku. Kemi qenë në të njëjtin shtet dhe iu kemi mbijetuar shumë ngjarjeve historike të përbashkëta. Shqiptarët kanë kontribuar për zhvillimin e kulturës dhe historisë së Türkiyes”, tha Arslan.

Arslan shtoi se Republika e Türkiyes nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan vazhdon të ndihmojë dhe mbështesë Shqipërinë, dhe shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur në nivelet më të larta.

Këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut, u shpreh se mbështesin të gjitha përpjekjet paqësore të shoqërisë civile për zhvillimin e marrëdhënieve.

“Në kuadër të zhvillimit tregtar, ekonomik, arsimor dhe kulturor midis dy vendeve tona, ne shkëmbejmë përvojat dhe gjithë këto përbëjnë një faqe të re në zhvillimin e marrëdhënie tona. Marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Shqipërisë janë të drejta dhe sinqerta që zhvillohen edhe në kuadër të diplomacisë publike. Marrëdhëniet tona diplomatike kanë rrënjë të thella në historinë tonë”, tha Bulut.

Duke folur për konfliktin e fundit në Lindje të Mesme, Bulut, u shpreh se “Ne jemi pranë popullit palestinez. Ne nuk mund të pranojmë agresivitetin, vrasjet dhe masakrat e izraelit kundër popullit palestinez. Është krim kundër njerëzimit”.

Presidenti i BSPSH-së, Gëzim Kalaja, u shpreh se midis BSPSH-së dhe HAK-İŞ është një miqësi e ngushtë, dhe kanë një kontribut i ndërsjellë që ka vazhduar prej vitesh dhe do të vazhdojë akoma në të ardhmen.

“Dua të përshëndes dhe falënderoj presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, i cili ka çuar më lart marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Türkiyes dhe është i vetmi garant në Ballkan. Sigurisht që Shqipëria në momentet e konfliktulitetit që përjetohet sot i ka sytë dhe nga Türkiye. Erdoğan do të jetë i paharruar për kombin shqiptar për ndihmën dhe mbështetjen që i jep rajonit ballkanik”, tha Kalaja.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, në fjalën e tij u shpreh se analizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve përmes kontributit që do të diskutohet në panel është me rëndësi për spektrin e gjerë të tyre dhe me përfitim në çdo pikëpamje.

“Nëse nga pala turke merita i ka takuar politikës së pandryshuar proshqiptare në çdo rrethanë, të vërtetuar në kohë të vështira për Shqipërinë, por dhe për Kosovën apo Maqedoninë e Veriut, kontribut të pamohueshëm në anën tonë për marrëdhënie të ngrohta dhe të frytshme kanë veç organeve shtetërore dhe organizatat joqeveritare. Si një prej tyre, Fondacioni ALSAR ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve, nisur nga pikëpamja se ato janë strategjikisht jetike për ne, për sigurinë, stabilitetin dhe përparimin tonë kombëtar”, u shpreh Gurra.

Këtë vit shënohet 101-vjetori i marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri, ndërkohë në muajt në vazhdim do të organizohen aktivitete të ndryshme.

Shekulli Agency