Mediat izraelite: Kundërsulmi i Iranit gjatë natës i kushtoi Izraelit 1.35 miliardë dollarë

Kapja nga Izraeli i dhjetëra raketave dhe dronëve iranianë gjatë natës i kushtoi Tel Avivit afër 5 miliardë shekelë (1.35 miliardë dollarë).

E përditshmja Yedioth Ahronoth citoi gjeneralin Ram Aminach, ish-këshilltar financiar i shefit të shtabit izraelit, i cili tha se “kostoja e mbrojtjes mbrëmë u vlerësua në mes 4-5 miliardë shekelë (1.08-1.35 miliardë dollarë)”.

“Unë po flas vetëm për kapjen e asaj që nisën iranianët dhe jo për dëme që ishin margjinale këtë herë”, tha Aminach.

“Një raketë ‘Shigjeta’ e përdorur për të kapur një raketë balistike iraniane kushton 3.5 milionë dollarë, ndërsa kostoja e një rakete ‘Shkopi magjik’ është 1 milion dollarë, përveç llojeve të avionëve që morën pjesë në kapjen e dronëve iranianë”, tha Aminach.

Më herët, gazeta izraelite Haaretz citoi zëdhënësin e ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, i cili tha se rreth 350 raketa dhe dronë u lëshuan nga Irani në Izrael, shumica e të cilave u kapën.

Hagari konfirmoi se dëme të vogla kishin ndodhur në bazën ajrore Nevatim në Beersheva, derisa “99 për qind e kërcënimeve kundër Izraelit u kapën”.

“25 nga 30 raketa lundrimi u kapën dhe nga më shumë se 120 raketa balistike, vetëm disa prej tyre depërtuan në territorin izraelit dhe ranë në bazën ajrore Nevatim”, shtoi ai.

Hagari theksoi se “përpjekja e Iranit për të shkatërruar aftësitë e Forcave Ajrore të Izraelit ka dështuar dhe baza Nevatim vazhdon të funksionojë”.

Ai tha se përveç lëshimeve nga Irani, raketa dhe dronë janë lëshuar edhe nga territoret e Libanit, Irakut dhe Jemenit.

Mbrëmë, Irani kreu një sulm ajror kundër Izraelit si hakmarrje për një sulm ajror të 1 prillit në ndërtesën diplomatike iraniane në kryeqytetin Damask të Sirisë. Sulmi vrau të paktën shtatë anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), duke përfshirë dy gjeneralë të lartë.

Irani pretendoi se kishte goditur caqe të caktuara ushtarake, ndërsa Izraeli pretendoi se shumica e sulmeve u penguan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, megjithëse një raketë goditi një bazë ushtarake në rajonin jugor të Izraelit.

Shekulli Agency