Holanda toleroi dhunën e ushtarëve të saj gjatë luftës së Indonezisë për liri

Vendi i Evropës veriperëndimore, Holanda, toleroi aktet e dhunës nga ushtarët e saj në Indonezi, në kohën kur vendi i Azisë Juglindore po luftonte për pavarësi midis viteve 1945 dhe 1949.

Në studimin e përbashkët të Institutit Mbretëror Holandez të Studimeve të Azisë Juglindore dhe Karaibeve (KITLV), Institutit Holandez të Historisë Ushtarake (NIMH) dhe Institutit të Luftës, Holokaustit dhe Gjenocidit (NIOD) përmendet dhuna sistematike e ushtarëve holandezë në Indonezi.

Studiuesit gjatë një diskutimi përmes video-lidhjes theksuan se dhuna e ushtarëve holandezë kundër indonezianëve ishte “e shtrirë dhe e qëllimshme”.

Ata theksuan se qeveria holandeze toleroi aktet e dhunës duke mos kryer hetime adekuate nga autoritetet ushtarake, administrative dhe gjyqësore.

Studiuesit thanë se ushtarët holandezë, që kryen shpesh dhe gjerësisht dhunë gjatë luftës, bënë ekzekutime jashtëgjyqësore, vrasje, përdhunime dhe tortura, si dhe arrestime në kushte çnjerëzore.

Duke kritikuar mosndëshkimin që gëzonin personat përgjegjës, studiuesit e përshkruan luftën e pavarësisë së Indonezisë rezultat të kolonizimit, racizmit dhe shfrytëzimit holandez.

Jeffry Pondaag, kryetar i Komitetit Holandez të Detyrimeve të Nderit (KUKB), tha për mediat lokale se gjetjet nuk ishin “ndonjë surprizë”.

Duke theksuar se gjetjet e tilla nuk janë ndonjë lajm i rëndësishëm nëse Holanda nuk deklarohet hapur përgjegjëse për luftën, ai tha se “kudo që ka luftë mes dy palësh, ka dhunë dhe akuza reciproke, por këtu përmendet vetëm përgjegjësia e Holandës”.

Pondaag theksoi se Holanda i hetoi ngjarjet në vitin 1969 dhe rezultatet e këtij hetimi u regjistruan.

– Historia e pavarësisë së Indonezisë

Indonezia shpalli pavarësinë nga Perandoria Holandeze më 17 gusht të vitit 1945.

Holanda nuk e njohu shpalljen e pavarësisë së Indonezisë dhe zbarkoi trupa në ishujt Java dhe Sumatra me qëllim të ruajtjes së sundimit kolonial.

Ushtarët holandezë kryen krime lufte duke kryer masakra kundër popullatës civile.

Negociatat paqësore midis Holandës dhe Indonezisë përfunduan kur Holanda njohu pavarësinë e shtetit të ri më 27 dhjetor të vitit 1949.

Shekulli Agency