Ka dritë në fund të tunelit për Franck Ribery. Sulmuesi francez më në fund është bashkuar me grupin në stërvitje, duke hedhur pas krahëve dëmtimin e gjatë. Ribery qëndron në bokse që prej muajit Dhjetor për shkak të një tërheqjeje muskulare të pësuar në takimin kundër Borussia Monchengladbach ku Bayern Munchen u mund me rezultatin 3-1. Holandezi Arjen Robben e pranon se rikthimi i francezit vjen në një moment shumë të rëndësishëm për skuadrën pasi përpara ka një kalendar shumë të ngjeshur mes Kupës, kampionatit dhe Champions League.
“Jam i lumtur që Franck është bashkuar sërish me grupin. Ne kemi shumë nevojë për të sepse përpara kemi disa ndeshje të rëndësishme”.
Ribery ka luajtur vetëm dy ndeshje gjatë këtij sezoni. Në muajin Dhjetor ai u rikthye në grup pas 9 muajve mungesë për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Në përballjen e radhës për Kupën e Gjermanisë, Bayerni i Mynihut do të luajë kundër Bochumit, ndeshje e vlefshme për çerekfinalet e këtij kompeticioni dhe Robben kërkon që skuadra të mos e nënvleftësojë kundërshtarin duke theksuar se nuk do të jetë aspak e lehtë edhe pse përballë do të kenë një skuadër modeste.