Eksperti serb i basketbollit, njëherësh trajneri i klubit Fenerbahçe, Zheljko Obradoviç ka nënshkruar një kontratë të re me klubin e cila e obligon atë të qëndrojë në stolin e kampionit edhe në tre vitet e ardhshme.
Në bazë të kontratës, Fenerbahçe në tre vitet e ardhshme do të vazhdojë bashkëpunimin me Obradoviçin, me ekipin teknik dhe me menaxherin Maurizio Gherardini.
Presidenti i klubit, Aziz Yildirim në ceremoninë e nënshkrimit tha se dëshirojnë që Obradoviç të japë kontributin e tij edhe në kombëtaren turke të basketbollit.
“Dëshiroj nga thellësia e zemrës që një trajner i tillë të drejtojë ekipin tonë kombëtar. Është më se e qartë se për Obradoviçin gjithmonë në plan të parë është Fenerbahçe, por ne duam që ai të kontribuojë edhe në kombëtare”, tha Yildirim, sipas të cilit është hera e parë në historinë e klubit të kenë vazhduar për shtatë vite me një trajner.