Ministri i Jashtëm i Algjerisë, Sabri Boukadoum deklaroi se provat bërthamore që Franca ka kryer në periudhën koloniale ende kanë efekte negative.
Në një mesazh të publikuar nga llogaria në Twitter, Boukadoum rikujtoi se sot kanë kaluar plotësisht 61 vite që kur Franca kreu provën e parë bërthamore në rajonin Reggane në Shkretëtirën e Algjerisë.
“Në provën e bombës bërthamore të Francës është zbuluar një fuqi prej 70 kilotonë e cila është e barabartë me 3 deri katërfishin e bombës atomike të hedhur në Hiroshima. Ende vazhdojnë efektet e shpërthimit të tmerrshëm”, tha ministri i Jashtëm algjerian, Boukadoum.
Thuhet se Franca gjatë viteve 1960-1966 ka kryer të paktën 17 prova bërthamore në Shkretëtirën Algjeriane.
Me zbulimin e vendit të mbetjeve bërthamore, Algjeria kërkon pagesën e dëmshpërblimit për viktimat dhe ndaj atyre që vuajnë nga dëmtime të përhershme, ndërkohë që Franca i refuzon këto kërkesa.
Njolla e zezë e Francës në Afrikë
Algjeria më 1 nëntor 1954 filloi luftën e saj për pavarësi kundër pushtimit të Francës që në vitet 1830.
Në këtë luftë që zgjati rreth 8 vite humbën jetën 1.5 milionë algjerianë ndërsa miliona të tjerë u zhvendosën. Dhimbjet e mëdha të përjetuara, janë shkruar në histori si një “njollë e zezë” që Franca ka lënë në Afrikë gjatë tërheqjes.
