
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar ekzistencën e një plani për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2021 nga një shtetas nga Shqipëria.
Gjatë ditës, u raportua në mediat shqiptare se në një llogari në rrjetin social Telegram e quajtur “Homeland Justice”, është publikuar nga hakerët një listë e plotë e e-maileve të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Gledis Nanos, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me të.
Aty publikohen informacione sensitive, raporte dhe informacione të ndryshme që i janë dërguar Nanos në kohën kur drejtonte Policinë e Shtetit dhe më parë Njësinë e Anti-terrorit.
Mes informacioneve është edhe një raport i Njësisë së Anti-terrorit në Policinë e Kosovës, ku përshkruhet me detaje një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti, si dhe dy persona të tjerë, deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti dhe ish-anëtarin e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Ismet Haxha.
Këtë plan e ka konfirmuar Qeveria e Kosovës në një përgjigje për mediat.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit kosovar.
I dyshuari për kryerjen e kësaj vepre theksohet në dokumentet e publikuara nga hakerët se ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve, derisa dyshohet se është i përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe në Mal të Zi.
Sipas Policisë Shqiptare, i dyshuari është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.
Sipas informacioneve të Njësisë së Anti-terrorit në Policinë e Kosovës, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.
Pak ditë më parë, hakerët sulmuan dhe bllokuan sistemin TIMS të Shqipërisë, ndërsa në korrik arritën të bllokonin për disa ditë punën e sistemin online të të dhënave të shqiptarëve, e-Albania. Për ngjarjen, qeveria shqiptare, akuzoi drejtpërdrejt Iranin dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike.