
Hetuesit e OKB-së kanë mbërritur në Ruandë për të mbledhur prova të reja për të dyshuarin kryesor të gjenocidit në Ruandë, Felicien Kabuga, pas arrestimit të tij këtë maj në Francë.
Serge Brammertz, kryeprokurori i Mekanizmit Ndërkombëtar të Gjykatës Penale (IRMCT), njoftoi se një ekip i hetuesve janë në Ruandë për të mbledhur prova të reja për të plotësuar dosjen e çështjes së Kabuga.
“Tani sfida është të sigurohemi që dosja e çështjes që kemi tashmë është azhurnuar”, tha ai në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Ruandës, Kigali.
“Ne do të flasim përsëri me dëshmitarët, viktimat që dëshmuan vite më parë për të parë disponueshmërinë e tyre; ne jemi në kërkim të provave shtesë dhe dosja e çështjes të jetë gati sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne u bëjmë një thirrje atyre që kanë dëshmuar në të kaluarën dhe shpresojmë se janë akoma të gatshëm të dëshmojnë në gjykatë. Ne me të vërtetë shpresojmë se do të gjejmë prova shtesë”, tha ai.
Duke e përshkruar atë si një çështje të fortë, Brammertz theksoi se është “absolutisht normale” të azhurnohen të gjitha provat për të parë se çfarë kemi ende në dispozicion, por gjithashtu të përfitojnë nga mundësitë e reja të cilat nuk ishin aty kur u dha urdhri.
Një gjykatë franceze vendosi në qershor që Kabuga duhet t’i dorëzohej për gjykim gjykatës së OKB-së me qendër në Hagë, si dhe në Arusha të Tanzanisë.
Megjithatë, i dyshuari apeloi aktgjykimin dhe seanca dëgjimore pritet në shtator.
Prokurori i Përgjithshëm i Ruandës, Aimable Havugiyaremye, përsëriti se arrestimi i Kabuga shërben si një paralajmërim për të gjithë të arratisurit e gjenocidit të Ruandës që ende janë të lirë.
Kabuga 84-vjeçar u arrestua në maj të këtij viti në Francë.
Në gusht 1998, Kabuga u padit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e tanishme e bazuar në Tanzani për Ruandën (ICTR) kurse u lëshua urdhër arrest ndërkombëtar për të edhe vitin e ardhshëm.
Sipas aktakuzës, Kabuga akuzohet për 11 akuza, përfshirë gjenocidin, bashkëpunim në gjenocid dhe nxitje të drejtpërdrejtë dhe publike për kryerjen e gjenocidit.
Ai gjithashtu akuzohet për ekzekutime si krim kundër njerëzimit, shfarosje si krim kundër njerëzimit, përdhunim si krim kundër njerëzimit, përndjekje në baza politike, racore ose fetare, si krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Më 1 gusht 2012, çështja e Kabuga u transferua në IRMCT të themeluar nga OKB-ja në vitin 2010 për të marrë disa funksione në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Ruandën pas përfundimit të mandatit të saj.