Pohimet dhe pretendimet gjithnjë e më të shpeshta të abuzimit të fëmijëve dhe abuzimit seksual brenda Kishës Katolike janë bërë një nga problemet më të mëdha me të cilën po ballafaqohet Vatikani, shkruan (AA).
Shumë priftërinj dhe kardinalë që janë në shërbim brenda kishave katolike në SHBA, Evropë dhe Australi janë akuzuar për fshehje të rasteve të ngacmimit seksual dhe abuzimit të fëmijëve.
Kjo çështje e diskutueshme ka tërhequr edhe më shumë vëmendjen e publikut pasi disa kardinalë, të cilët janë hierarki menjëherë pas Papës, u ndaluan për ngacmim seksual dhe abuzim të fëmijëve.
Njëri prej tyre është kardinali George Pell, prifti më i lartë i Kishës Katolike, i dënuar për abuzimin seksual të fëmijëve. Përveç tij, ish-Kryepeshkopi i Washingtonit, Theodore McCarrick dha dorëheqjen për shkak të skandalit lidhur me abuzimin e të miturve.
Akuzat për abuzim dhe ngacmim seksual të fëmijëve për herë të parë dolën në sipërfaqe në vitin 1950, por mediat filluan t’i ndjekin këto incidente më hapur vetëm 30 vite më vonë, pra në vitin 1980 në kishat e Kanadasë dhe SHBA-ve.
Rastet e pedofilisë që u shfaqën në kishat në Argjentinë dhe Australi në vitet 1990 edhe më shumë tërhoqën vëmendjen e opinionit botëror. Përveç kësaj, kryepeshkopi i Vjenës dha dorëheqjen në vitin 1995 për akuzat për abuzim seksual, i cili në atë kohë shkaktoi një tronditje të vërtetë në opinion.
Çështja e abuzimit seksual në kisha filloi të konsiderohet në nivel global pasi edhe në kishat e Irlandës në fund të viteve të 90′-ta u vërejtën disa skandale lidhur me abuzimin seksual të fëmijëve.
Skandalet e pedofilisë në kisha edhe nëpër filma
Opinioni botëror mbeti veçanërisht i tronditur kur shpërtheu skandali i ngacmimit seksual në Boston të SHBA-së në vitin 2002, kur ish prifti John Geoghan, kishte ngacmuar seksualisht më shumë se 130 fëmijë në periudhën 1962-1995.
Kardinali i atëhershëm i zonës, Bernard Law, u gjet në shënjestër të kritikave të ashpra të publikut pasi u përpoq të mbulonte skandalin, megjithëse ai kishte njohuri për këtë rast. Gazeta amerikane ‘Boston Globe’ ka ndjekur detajisht këtë rast, për të cilin në vitin 2015 u xhirua dhe një film i quajtur “Spotlight”.
Sipas një sondazhi të kryer nga John Jay College në vitin 2004, midis viteve 1950 dhe 2002 më shumë se 4.000 priftërinj katolikë u akuzuan për abuzimin seksual të 10.667 fëmijëve.
Kardinali Pell në paraburgim
Mediat në mbarë botën vazhdojnë të ndjekin rastet e ngacmimeve seksuale, lidhur me të cilat janë duke u zhvilluar shumë procese gjyqësore kundër krerëve fetarë të Kishës Katolike.
Një prej tyre është rasti i kardinalit 77-vjeçar George Pelle, i cili u dënua për abuzim seksual të fëmijëve për çka ndodhet në paraburgim ndërsa vendimi për dënimin është planifikuar për më 13 mars 2019.
Kjo është hera e parë që kardinali Pell u arrestua që kur u akuzua në qershor 2017 për abuzimin seksual të fëmijëve. Gjatë gjykimit ai u la i lirë me kaucion.
Skandali i kardinalit amerikan
Vatikani kohët e fundit njoftoi se ka shkarkuar përgjithmonë nga radhët priftërore 88-vjeçarin, ish-kardinalin Theodore McCarrick pasiqë u shpall fajtor nga Komisioni Disiplinor për abuzim seksual të të rriturve dhe të miturve.
Kjo është konsideruar si vendimi historik i Vatikanit kundër një të “fuqishmi” të kishës, një nga udhëheqësit më me ndikim të Kishës Katolike Amerikane dhe ish-Kryepeshkopit të Washingtonit.
Kongregacioni për Doktrinën e Fesë e shpalli atë “fajtor për shkelje të 6 urdhërave me të miturit dhe të rriturit, me faktor rëndues të keqpërdorimit të autoritetit”.
Vendimi u shpall vetëm disa ditë para takimit të Papa Françeskut me peshkopë nga e gjithë bota në samitin mbi abuzimet në Kishën Katolike. Kjo ishte edhe rënia përfundimtare e peshkopit i cili në radhët kishtare kishte hyrë gjashtë dekada më parë, duke kaluar të gjitha nivelet dhe duke fituar prestigj të madh dhe fuqi, deri në momentin kur u bë “simbol” i abuzimit në Kishën Katolike.
Në Francë, gjithashtu kanë vazhduar rastet lidhur me akuzat e pedofilisë kundër klerit katolik. Në vijim është procesi gjyqësor kundër kardinalit të Kishës Katolike në Lyon, Philippe Barbarin, gjashtë pastorëve për akuzat e mbulimit të rasteve të ngacmimit seksual dhe abuzimit.
“Papa i së ardhmes” akuzohet për ngacmim seksual
Kardinali Oswald Gracias, president i Konferencës Ipeshkvore të Indisë, të cilin disa e konsideronin si “Papa i së Ardhmes”, gjithashtu është në shënjestër të kritikave për fshehjen e rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve.
Kardinali Gracias kritikohet se nuk ofroi mbështetjen e nevojshme në kohë për fëmijët që abuzoheshin seksualisht. Kritikët e tij pohojnë se personat që ishin abuzuar seksualisht, kardinalit ia kishin treguar përjetimet e tyre përmes të cilave kishin kaluar, por ai në njëfarë mënyre këto dëshmi nuk i kishte marrë shumë seriozisht.
Në Vatikan u mbajt një samit për abuzimin e fëmijëve
Në praninë e kreut suprem të Kishës Katolike, Papa Françeskut dhe zyrtarëve të shumtë të kishës, në Vatikan, nga 21 deri më 24 shkurt, u mbajt një samit për luftën kundër abuzimeve seksuale të fëmijëve.
Në hapjen e samitit, ku morën pjesë 190 zyrtarë të kishës, peshkopë dhe ekspertë, Papa Françesku tha se nga priftërinjtë pret të ndërmarrin hapa konkretë në luftën kundër abuzimit seksual të fëmijëve.
Sipas tij, është e nevojshme të dëgjohet zëri i të rinjve që duan drejtësi dhe se përveç dënimeve të thjeshta, është e domosdoshme të bëhen hapa më konkretë dhe më efektivë në luftën kundër abuzimit seksual të fëmijëve.
Pjesëmarrësit e samitit patën mundësinë të shikojnë video-xhirimet me dëshmi të viktimave të abuzimit seksual. Në një nga dëshmitë, një grua nga Afrika tha se një prift i atjeshëm e kishte përdhunuar disa herë, në kohën kur ajo ishte vetëm 15 vjeçe. Nën presionin e të njëjtit prift, ajo u detyrua tre herë të abortojë.
Raport në SHBA
Në raportin e jurisë në Pensilvani të lëshuar në gusht të vitit të kaluar, thuhet se të paktën 1.000 fëmijë, dhe është e mundur shumë më tepër se kaq, u abuzuan nga qindra priftërinj katolikë në gjashtë famulli të Pensilvanisë, ndërsa zyrtarët e lartë të kishës këtë e mbuluan me vetëdije.
Juria tha se besonte se “numri i vërtetë” i fëmijëve të abuzuar mund të matet “në mijëra”, sepse disa shënime u humbën dhe viktimat ishin shumë të frikësuar për t’u tërhequr. Raporti nënvizon se më shumë se 300 priftërinj abuzuan fëmijët për disa dekada.
Prokurori shtetëror në Pensilvani, Josh Shapiro deklaroi se hetimi dy-vjeçar zbuloi mbulim sistematik të zyrtarëve të lartë të kishës në Pensilvani dhe Vatikan.
“Mbulimi ishte i sofistikuar. Dhe, gjatë gjithë kohës, që është tronditëse, administrata e kishës i ka mbajtur dokumentet në lidhje me abuzimin dhe mbulimin e fakteve. Këto dokumente nga ‘arkivat sekrete’ të famullisë, ishin boshti i hetimeve”, tha Shapiro.
Sipas raportit të kryeprokurores së Illinoisit, Lisa Madigan, të cilin e përgatiti muajin e kaluar, më shumë se 500 priftërinj të akuzuar për abuzimin seksual në kishë nuk ishin vendosur në listën e publikuar nga dioqeza katolike e Illinoisit.
Emra të famshëm të priftërinjve të përfshirë në abuzimet seksuale
Peshkopia e Bruklinit ka shpallur emrat e më shumë se 100 priftërinjve të përfshirë në rastet e abuzimit seksual të fëmijëve në kisha.
Në vitin 2014, Kombet e Bashkuara gjithashtu publikuan një raport mbi rastet e përhapura të abuzimit dhe ngacmimit seksual të fëmijëve në Kishën Katolike. Në raport, Vatikani akuzohet se ka fshehur raste të shumta të abuzimit priftëror të fëmijëve apo në këtë mënyrë ka lejuar që dhjetëra mijëra fëmijë të abuzohen.
MUHAMMET IKBAL ARSLAN