Anëtari i kryesisë qendrore në Lëvizjen BESA, Zeqirija Ibrahimi ishte i ftuar në televizionin “Globi” ku ndër të tjera foli për angazhimin e të gjithëve për moslejimin e manipulimeve zgjedhore, si dhe ndalimin e keqpërdorimeve të administratës në favor të partive në pushtet.
Sipas Ibrahimit, është brengosës fakti se në kohë fushatash zhvillohet një presion i madh ndaj qytetarëve shqiptar në Maqedoni në frymën e asaj se ata që ‘s’janë me neve janë armiqtë e tanë dhe ne pastaj u hakmerremi’.
“Prandaj, ne duam të ju themi shqiptarëve se më është momenti i fundit që të ndalojmë hakmarrjen ndërshqiptare, se askush nuk do të humb me një fitore të Lëvizjes BESA, askujt nuk i humb as vendi i punës, askush nuk do të përjashtohet nga puna dhe se askush nuk do shkarkohet nëse ka qenë i suksesshëm në atë detyrë. Njëherë e përgjithmonë të ndalojmë hakmarrjen politike”.
Më tej, Ibrahimi ka theksuar se në Shkup ka shembuj se si i detyrojnë arsimtarët e shkollave, i detyrojnë punëtorët e administratës me lista që të shkojnë në fushata zgjedhore t’i mbushin sallat e tubimeve partiake.
“Kanë arritur në atë shkallë që i kanë ‘bindur’ shqiptarët se ata sikur i kanë borxh t’i shkojnë pas partisë shqiptare në pushtet. Akush nuk i ka borxh askujt, ata njerëz janë të punësuar aty ku janë falë aftësisë së tyre, jo falë përkatësisë së tyre politike dhe askush s’ka të drejtë t’i detyrojë të shkojnë në fushatë, askush nuk ka të drejtë që t’i shantazhoj për votimin e partisë”. Ibrahmi ka vlerësuar se është shumë me rëndësi që shqiptarët e Maqedonisë të marrin frymë lirshëm nga partitë politike dhe jo të jenë të kushtëzuar e shantazhuar. /SHENJA/