
Zyra e Prokurorisë Speciale e Kosovës ka ngritur një aktakuzë për krimet e luftës në Kosovë gjatë vitit 2021, raporton AA.
Kështu bëri të ditur raporti i ri vjetor i Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës (FDHK) e cila gjatë vitit 2021 ka monitoruar gjithsej 50 seanca gjyqësore në gjyqësorin e Kosovës, për rastet e krimeve të luftës të kryera gjatë viteve 1998-99.
Objektivi kryesor i këtij raporti i cili u prezantua sot në Prishtinë ka qenë prezantimi i punës së institucioneve të gjyqësorit në këto raste, rezultatet e arritura nga vëzhgimet dhe vërejtjet e monitorimit.
Monitoruesit e FDHK-së i kanë monitoruar të gjitha seancat gjyqësore në shkallën e parë dhe të dytë të cilat lidhen me veprat penale me prapavijë etnike dhe politike.
Koordinatori i projektit pranë, FDHK-së, Amer Alija, i cili e prezantoi raportin e ri, tha se përpos 50 seancave të monitoruara, FDHK gjatë vitit të kaluar ka monitoruar edhe 20 seanca tjera që lidhen me vepra penale me prapavijë politike dhe etnike.
“Gjatë vitit 2021 dy persona janë arrestuar nën dyshimin e veprës penale të krimeve të luftës, ndërkaq, Zyra e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur vetëm një aktakuzë për krimet e luftës në Kosovë gjatë vitit 2021”, theksoi Alija.
Ai tha se gjatë vitit 2021 pranë Departamentit special të Gjykatës Themelore të Prishtinës, janë procesuar pesë raste të krimeve të luftës kundër popullatës civile kundër gjashtë të pandehurve.
Alija, duke folur bazuar në monitorimin që ky fond ka bërë, përmendi edhe ngecjet e disa gjykatave, si ajo e Mitrovicës.
“Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë që nga transferimi i kompetencave të EULEX-it tek gjyqësori vendor janë duke qëndruar katër raste pezull. Gjatë vitit 2021 asnjë seancë nuk është mbajtur për këto katër raste që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë. Vonesa të tilla mund të rrezikojnë efektivitetin dhe kredibilitetin e një sistemi ligjor, në anën tjetër viktimat dhe dëshmitarët të cilët kanë pritur me dekada për të dëshmuar për personat e dyshuar për krime të luftës sigurisht që do të zhgënjehen nga mosveprimet adekuate të kësaj gjykate”, shtoi Alija.
Për shkak të efikasistetit të dobët në ndjekjen penale për rastet e krimeve të luftës nga ana e gjyqësorit, FDHK ka adresuar edhe disa rekomandime si organizmin e trajnimeve të rregullta dhe përmbajtësore për gjyqtarët, prokurorët dhe stafin mbështetës që merren me krimet e luftës.
Gjithashtu ata kanë rekomanduar që gjyqësori vendor të bashkëpunojë me gjyqësorin rajonal duke shkëmbyer përvojat e gjykimeve të krimeve të luftës si dhe të bëjë shqyrtimin e mundësisë së regjistrimit të seancave gjyqësore me audio dhe video-incizim.
Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999 në Kosovë, nga gjyqësori vendor dhe ndërkombëtar janë dënuar 70 persona për krimet e luftës në Kosovë.