Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili u zgjodh nga shumica parlamentare më 27 prill, pas takimet me zv/ndihmës sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, deklaroi se “në takimin e frytshëm me përfaqësuesin e lartë të shtetit amerikan është rikonfirmuar mbështetja e zgjedhjes sime për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë”.
“Patëm mundësinë të këmbejmë mendimet rreth nevojës për angazhim gjithëpërfshirës të aktiviteteve të kryetarit të Kuvendit për t’u rikthyer stabiliteti dhe funksionaliteti i Kuvendit, komform përcaktimeve ligjore dhe të rregullores së punës së Kuvendit”, deklaroi Xhaferi.
Ai shtoi se janë këmbyer mendime rreth të gjitha sfidave që pritet të ballafaqohen në aktivitetet e mëtejshme, si dhe theksoi se do të jetë kryetar i të gjithë deputetëve në Kuvend, pa marrë parasysh përkatësinë politike, etnike apo qëndrimin pro apo kundër zgjedhjes së tij për kryetar të Kuvendit.
Në pyetjen rreth çështjes së sigurimit që mos të përsëriten incidentet, Xhaferi u përgjigj se “ai është deputet i Kuvendit të Maqedonisë i zgjedhur nga qytetarët dhe ai nuk ka nevojë të jetë i frikësuar nga qytetarët e tij, pa marrë parasysh të cilës përkatësi etnike janë”.
Hoyt Yee ndodhet në vizitë dy ditore në Maqedoni për të diskutuar formimin e qeverisë së re, marrëdhëniet bilaterale dhe reformat e nevojshme për integrimin euroatlantik. Pas përfundimit të takimeve, Hoyt Yee pritet që të mbajë një konferencë për mediat ku pritet të shpalos qëndrimin përfundimtar të SHBA-ve për ngjarjet e fundit në Maqedoni.
Gjatë ditës së djeshme, Hoyt Yee realizoi takime me drejtuesit e partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, ndërsa sot takoi presidentin Gjorge Ivanov, kryeparlamentarin Xhaferi, si dhe do të takohet me drejtuesit e dy partive më të mëdha politike në Maqedoni.
Kujtojmë se mbrëmjen e 27 prillit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit mbështetës të VMRO-DPMNE-së që ishin tubuar para ndërtesës së Kuvendit u futën me dhunë brenda ndërtesës. Si pasojë e dhunës së protestuesve që kishin cak deputetët, mbetën të plagosur rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, punonjës të policisë dhe përfaqësues të medias.